Nga Islam Lauka
Dokumenti i Strategjisë së Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, i botuar para pak ditësh (5.12.2025), shënon një kthesë radikale, jo vetëm në krahasim me dokumentin analog të Bidenit (2022), por me të gjitha strategjitë e mëparshme që nga viti 1945. Disa studiues shkojnë edhe më tej, duke e konsideruar atë si një kthim në politikën dhe diplomacinë e shekullit XIX. Në këtë kuptim, strategjia e re nuk është në koherencë me ato të mëparshmet; përkundrazi, ajo përbën një shkëputje të qartë prej tyre. Megjithatë, në këtë shkrim nuk e kam fjalën për këtë lloj inkoherence, sepse, në fund të fundit, është e drejtë e administratës së presidentit Trump të përcaktojë parimet dhe prioritetet e strategjisë së saj për sigurinë e vendit në fazën aktuale dhe në perspektivën e afërt, ashtu siç e gjykon ajo vetë.
Dokumenti i Strategjisë së Sigurisë Kombëtare është një produkt i administratës, pra nuk është ligj i miratuar nga Kongresi dhe as i detyrueshëm për t’u zbatuar. Më shumë se kaq, ai është një deklaratë mbi qëllimet e administratës gjatë mandatit të saj. Gjithsesi, mbetet një nga dokumentet më themelorë të pushtetit ekzekutiv.
Inkoherencat që do të trajtoj më poshtë kanë të bëjnë me atë çfarë shkruhet në vetë tekstin e Strategjisë Kombëtare të Sigurisë.
Cilat janë ato?
Së pari, në disa paragrafë të dokumentit, sidomos në pjesën mbi parimet, theksohet se SHBA-ja nuk do të ndërhyjë në çështjet e brendshme të vendeve të tjera; se nuk do të imponojë demokracinë apo ndryshime shoqërore që nuk janë në përputhje me historinë dhe traditat e këtij apo atij populli. Uashingtoni shprehet i gatshëm të bashkëpunojë edhe me vende që kanë sisteme të ndryshme politike. Por, kur vjen puna te prioritetet, strategjia amerikane, në inkoherencë të plotë me parimin e mosndërhyrjes, thekson se: “Ne do të kundërshtojmë kufizimet antidemokratike të elitave mbi liritë themelore në Europë, në zonën anglosaksone dhe në pjesën tjetër të botës demokratike, veçanërisht midis aleatëve tanë.” Kështu promovohet ndërhyrja e hapur në punët e brendshme të aleatëve dhe vendeve demokratike kudo në botë. Duket paradoksale që të lejohet ndërhyrja në vendet mike dhe të përjashtohet ajo në vendet kundërshtare.
Së dyti, midis vendeve aleate dhe demokratike shënjestrohet në mënyrë të veçantë kontinenti i vjetër – Europa. Sipas disa studiuesve, antipatia ndaj Europës i ka rrënjët thellë në histori. Ata argumentojnë se vetë shtetësia amerikane, e formuar në shekujt XVII–XVIII, u ndërtua si antipod i botës së vjetër të korruptuar dhe tiranike, prej nga njerëzit largoheshin për shkak të shtypjes së lirive politike dhe fetare. Të tjerë vënë theksin te baza ideologjike e strategjisë – nacionalizmi konservator, mbi të cilin mbështetet “MAGA” (Make America Great Again), por që është i papajtueshëm me internacionalizmin liberal, krijesë e të cilit, sipas mbështetësve të Trumpit, është Europa e sotme. Nuk mungojnë as studiuesit që antipatinë amerikane ndaj Europës e shpjegojnë me konkurrencën e ashpër tregtare midis tyre. Lufta e tarifave është dëshmi e kësaj. Vetë presidenti Trump është shprehur më parë se BE-ja është krijuar për të shkatërruar Amerikën.
Strategjia shprehet prerazi se nuk do të tolerohen “pasagjerët pa biletë” (referencë për vendet europiane), çekuilibrat tregtarë dhe praktikat ekonomike zhvatëse. Me ndjeshmëri të lartë trajtohen interesat në fushën teknologjike. Standardet europiane kërkojnë që kompanitë amerikane të internetit, por jo vetëm ato, të moderojnë përmbajtjen, të heqin materialin e paligjshëm dhe të dëmshëm dhe të frenojnë dezinformimin. BE-ja nuk ka ngurruar t’i gjobisë këto kompani, gjë që ka ngjallur zemërimin amerikan. Kjo është arsyeja pse strategjia flet për “asfiksi rregullatore të BE-së”.
Mesa duket, këta janë disa nga faktorët që e çojnë strategjinë të përcaktojë “kultivimin e rezistencës kundër trajektores së tanishme të Europës…” si një nga pikat e saj kryesore, duke mbështetur “partitë patriotike” (lexo: ultra të djathta). Nëse këto trende vazhdojnë, sipas dokumentit, brenda 20 ose më pak vjetësh kontinenti nuk do të njihet më, sepse Europa do të shkojë drejt një “shuarjeje civilizuese”. Më hapur se kaq nuk mund të thuhet: kërkohet zhbërja e BE-së, në rastin më të mirë, ose së paku një Europë jo e integruar, por një Europë e kombeve.
Përvoja historike dhe logjika e thjeshtë tregojnë se aleatë më të mirë se BE-ja, SHBA-të nuk kanë pasur, nuk kanë dhe vështirë se do të kenë në të ardhmen. Rivaliteti midis fuqive europiane, historikisht, ka çuar në luftëra të përgjakshme, dy prej më shkatërrimtareve të cilave përfshinë edhe SHBA-të në shekullin XX. Periudha më e gjatë pa luftëra në historinë e kontinentit, rreth 80 vjet, është ajo pas vitit 1945, kur u krijua BE-ja, me nxitjen dhe mbështetjen e gjithanshme amerikane. Projekti i BE-së është projekti më paqebërës në historinë e njerëzimit. Përpjekjet për zhbërjen e tij, me shpresën se shtetet e veçanta kombëtare do të jenë më besnike ndaj SHBA-ve, janë iluzore. Në një botë shumëpolare, me “balena” dhe “peshkaqenë” vrastarë në të katër anët e globit, shtetet europiane të ndara rrezikojnë të shfaktorizohen. Ato nuk mund të veprojnë as si fuqi të mëdha, por as si fuqi të mesme përballë gjigantëve të vjetër dhe të rinj të planetit. Në gjykimin tim, jo zhbërja, por fuqizimi i BE-së; jo çintegrimi, por konsolidimi i integrimit europian janë në interes jo vetëm të popujve të kontinentit tonë, por edhe të vetë SHBA-ve.
Së treti, prej vitesh SHBA-të u kërkojnë vendeve europiane anëtare të NATO-s të rrisin shpenzimet ushtarake, në mënyrë që të mbrojnë veten, të kontribuojnë në sigurinë kolektive dhe të ulin barrën e shpenzimeve amerikane. Këtë kërkon edhe strategjia e re. Inkoherenca qëndron në faktin se Uashingtoni ka zgjedhur të mbështesë opozitën europiane, partitë ultra të djathta, të cilat jo vetëm janë skeptike ndaj thellimit të integrimit europian, por janë edhe kundër riarmatimit të Europës. Partia e Lirisë (Holandë), Partia e Reformës (Britani e Madhe), Alternativa për Gjermaninë etj. janë kundër rritjes së shpenzimeve për mbrojtjen. Nga ana tjetër, nuk ka asnjë garanci që, në rast të ardhjes në pushtet, këto parti do të lidhen me SHBA-të dhe jo me kundërshtarët e tyre. Për shembull, Alternativa për Gjermaninë, e shpallur zyrtarisht si parti ekstremiste, është shumë më e lidhur me Moskën sesa me Uashingtonin.
Së katërti, Strategjia e Sigurisë Kombëtare trajton problemin e qytetarëve të papërfaqësuar. Aty thuhet se “një shumicë e madhe europiane dëshiron paqe, por kjo dëshirë nuk përkthehet në politikë, kryesisht për shkak të sabotimit të procesit demokratik nga qeveritë europiane”. Mungesa e koherencës shfaqet në dy aspekte. Së pari, për çfarë paqeje bëhet fjalë – paqe me çdo çmim, edhe në kushtet që dikton Putini? Kjo nuk do të ishte paqe, por zanafilla e një konflikti të ri. Së dyti, sipas studimit të Forumit Reagan për Mbrojtjen Kombëtare, botuar më 5.12.2025, shumica e amerikanëve, nga të dy krahët politikë, mbështesin Ukrainën kundrejt Rusisë. Numri i atyre që mbështesin vazhdimin e furnizimit të Kievit me armë është rritur nga 55% në vitin 2024 në 64% këtë vit, ndërsa mbështetja për NATO-n është rritur nga 62% në 68%. Vështirë se mund të dyshohet se Forumi Reagan i përket krahut liberal-globalist; përkundrazi, ai i përket krahut konservator. Të shohësh qytetarë të papërfaqësuar në një kontinent tjetër dhe të mbyllësh sytë para atyre të vendit tënd është shumë më tepër sesa mungesë koherence.
Së fundi, një nga parullat kryesore të presidentit Trump, e shfaqur që në mandatin e tij të parë, por sidomos në të dytin, dhe që ka gjetur pasqyrim të gjerë në Doktrinën e re të Sigurisë Kombëtare, është “paqe nëpërmjet forcës”. Ajo u kërkon vendeve europiane të heqin dorë nga pritshmëritë jorealiste për luftën në Ukrainë dhe të mos bëhen pengesë për “qetësimin” e kontinentit. Të njëjtën gjë administrata Trump ia ka kërkuar disa herë presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, me argumentin se Kievi nuk i ka kartat e duhura, ndërsa Moska po. Pra, fajtorë për mungesën e përparimit drejt paqes shpallen Ukraina – viktimë e agresionit të pajustifikuar rus – dhe BE-ja që e ndihmon atë për t’u përballur me agresionin. Inkoherenca këtu qëndron në faktin se forca dhe presioni për arritjen e paqes, në vend që të ushtrohen ndaj atij që e ka minuar vazhdimisht atë – në Gjeorgji (2008), Ukrainë (2014), Siri (2015), përsëri në Ukrainë (2022) – ushtrohen ndaj një populli të pambrojtur dhe ndaj atyre që përpiqen ta ndihmojnë atë.
Kjo inkoherencë çon në dukurinë e njohur si appeasement (paqësim i agresorit). Historiani britanik Timothy Garton Ash argumenton se “paqësimi” i Putinit e bën Neville Chamberlain-in të duket “si një realist i guximshëm dhe parimor”, pasi ky i fundit, megjithëse pa sukses, synonte të parandalonte luftën me Hitlerin, ndërsa Trump vepron kur konflikti është në kulmin e tij. Sipas Ash-it, kjo do të ishte njësoj sikur në vitin 1941 presidenti amerikan Roosevelt të kishte vendosur, jo t’i bashkohej koalicionit antifashist, por t’i telefononte Hitlerit për ta përfunduar luftën me një ujdi dypalëshe.
Në shkrimin e tij të datës 2 dhjetor 2025, “Shansi i fundit i Perëndimit”, kryeministri finlandez Alexander Stubb thekson se edhe ujditë apo politikat transaksionale duhet të bazohen në vlera themelore, si sovraniteti, integriteti territorial, ndalimi i përdorimit të forcës dhe respektimi i të drejtave dhe lirive themelore – vlera që duhet të jenë të panegociueshme.
Rendi që aspiron Strategjia e re amerikane e Sigurisë Kombëtare nuk ka vend për shtetet e vogla, madje as për ato të mesme. Marrëdhëniet ndërkombëtare në atë rend do të përcaktohen jo nga parimet dhe normat e së drejtës ndërkombëtare, por nga fuqia, pasuria dhe udhëheqës autoritarë të tipit Trump, Putin, Xi, Erdoğan etj. Ajo që të habit është fakti se “trumpistët” shqiptarë, në vend që ta analizojnë në mënyrë kritike këtë dokument dhe të nxjerrin mësimet përkatëse për interesat kombëtare shqiptare, vazhdojnë avazin e vjetër: çdo gjë që vjen nga Amerika është e mirë për shqiptarët.

