Nga Hasan Bello

Pak muaj pas ardhjes në pushtet Kryesia e Këshillit Antifashist Nacional-Çlirimtar miratoi ligjin nr. 37 datë 13 janar 1945 “Mbi tatimin e jashtëzakonshëm mbi fitimet e luftës”.  Në bazë të këtij ligji, fitimet e të gjithë shtresës së mesme dhe të pasur, të realizuara prej 7 prillit 1939 deri më 31 dhjetor 1944 ishin subjekt i një tatimi të ri. Ai llogaritej për fitimet mbi 500.000 franga shqiptare me tarifë progresive të shkallëzuar, e cila lëvizte nga një minimum 45% – 80 %. 

Në vitin 1945 të ardhurat nga tatimi i jashtëzakonshëm për fitimet e luftës siguruan më shumë se gjysmën e buxhetit të shtetit. Kjo e detyrojë borgjezinë tregtare dhe industriale të kohës, që nën presionin e regjimit komunist; kërcënimit me burg dhe ekzekutimit, të përdorte një pjesë të arit që kishte akumuluar me dekada. Një veprim i tillë goditi në mënyrë drastike shtresën e mesme dhe të pasur, duke rritur rezervat për arkën e shtetit. Ky ishte një precedent i rrallë në histori se si një qeveri gjysmën e buxhetit të saj e siguronte nga grabitja me ligj.

Për vërtetimin e fitimeve dhe caktimin e tatimit, pranë Komiteteve Ekzekutive të Këshillave Nacionalçlirimtarë të prefekturave dhe nënprefekturave u krijuan komisione të posaçme, ku bënin pjesë përfaqësues të pushtetit, të ushtrisë, të organizatave të masave dhe ndonjë specialist. Pavarësisht asaj që propagandohej në atë periudhë, disa vite më pas, autoritetet zyrtare të shtetit komunist do ta pranojnë se qëllimi i këtij ligji ishte eleminimi i shtresës së mesme dhe të pasurve. Sipas tyre, “Lufta e vendosur e organeve të diktaturës së proletariatit, e mbështetur me të gjitha forcat nga masat e popullit, bëri që kjo masë të realizohej me sukses, duke goditur rëndë pozitat ekonomike të borgjezisë”.

Për shkak të këtij ligji, organet policore dhe Sigurimi i Shtetit arrestoi, torturoi, burgosi dhe ekzekutoi një numër të konsiderueshëm tregtarësh, me të vetmen arsye, se me punën dhe djersën e tyre kishin vendosur kapital. Në kuadër të kësaj fushate nga populli u konfiskua afërsisht 3 ton arë. 

Fryma kundër shtresës së mesme, edhe sot e ka origjinën në “subkoshiencën” këtyre viteve.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *