Nga Sebastian Zonja

Natën e Krishtlindjes së 25 dhjetorit të viti 1991 u luajt për herë të fundit himni i Bashkimit Sovjetik në Sheshin e Kuq. 34 vjet më parë, revolucioni i ashtuquajtur i lavdishëm i Vladimir Iliç Leninit u mbyll me dështim total. Komunizmi dështoi në çdo kontinent, nëpër të gjitha racat, në çdo meridian, në çdo kulturë botërore, në secilin aspekt të vetin. Dështoi mes dy Koreve, dështoi në Afrikë, dështoi mes dy Gjermanive, dështoi në Amerikën latine, dështoi në Lindjen e mesme, dështoi kudo. Miliona të vdekur burgjeve, uri masive, internime dhe burgosje për një fjalë goje, shtypje me dhunë e çdo kryengritjeje… e gjitha kjo në emër të idesë komuniste.

Në Kremlin, flamuri i urryer me drapër dhe çekan u ul dhe u vendos ai i Federatës Ruse. Shteti i parë socialist shkoi në amshim, mbeti relike historike.

Por ç’ndodhi menjëherë pas rënies së Bashkimit Sovjetik?

Këtu gjen veten edhe Shqipëria e vockël. Dokumentari me titullin “Tradhtarët” na tregon se si u shfaqën gangsterët e parë, oligarkët e parë, politikanët e lidhur me krimin e organizuar e të tjerë. Sipas analistëve të ndryshëm ato vite janë shumë dinamike dhe interesante. Ideja e neoliberalizmit që nis me administratën Karter dhe vijon me atë Regan në Amerikë pushton botën. Evropa lindore pushtohet nga ideja e “derregullimit total”. Naomi Klein me anë të “Doktrinës Shok” na tregon se si biznesmenët amerikanë dhe evropianë kthyen sytë për të kapur një treg të stërmadh. Kalimi nga një ekonomi e planifikuar në ekonomi tregu u shoqërua me varfëri, krim dhe privatizime masive korruptive. Doktrina neoliberale kishte një problem në thelb – përjashton vendmimarrjen politike për ekonominë, është fondamentalizëm tregu. Njëjtë si në komunizëm, ku të gjitha i vendoste Partia, këtej i vendos tregu.

Kur nisi loja e re, Shqipëria ishte andej nga fundi. E vogël, e vetme, e varfër. Ishin çelur horizonte të reja për të ashtuquajturën tregti të lirë. Vetëm se ka një gjë, siç na e mëson Britania e Madhe, tregtia e lirë fillon atëherë kur unë jam i fuqishëm – pasi kam mbrojtur prodhimin tim, kam vendosur tarifa, kam fuqizuar biznesin vendas, subvencionova sipërmarrësit e mi, u ktheva në fuqi të madhe tregtare… Shqipëria kishte sytë nga Amerika, siç i kemi sot nga Bashkimi Evropian. Amerikanët na thanë që të shkatërronim çfarë të na dilte përpara sepse “djemtë e Çikagos” e kishin gati formulën. U çuam ne me çekanin që ja hoqëm flamurit sovjetik dhe shembëm çdo gjë. Mirëpo s’po jepte fryte ky neoliberalizmi. Si ka mundësi që jepte fryte për Amerikën dhe Britaninë, për ne jo? Filluan privatizimet masive. Ajo që ndodhi në ato fillime është vendimtare për të shpjeguar gjendjen që ndodhemi sot.

Çfarë ndodhi në Rusi?

Sipas analizave që kemi lexuar në “The Moscow Times” vitet ’90 shihen si traumë kolektive që shfrytëzohet nga propaganda putiniste duke kërcënuar se nëse ikën ai, vendi merr një kthesë të fortë drejt destabilizimit. Si mendoni ju, ku e kanë marrë aparatçikët e partisë idenë se po iku Rama kush do vijë?
Po ashtu, ka një ide tjetër për ato fillimvite të errëta që thotë se ishte epoke lirie, kur njerëzit mund të flisnin dhe mendonin lirshëm, pasi kishin hequr nga duart prangat e censurës së epokës sovjetike.
Kjo është narrativë e gjerë edhe në Shqipëri.

Për shembull, që në fillim, oligarku Boris Berezovski mori nën kontroll kanalin kryesor televiziv rus – në atë kohë i njohur si “ORT”, tani “Channel One”. Berezovski mori para nga oligarku tjetër Roman Abramoviç për ta blerë këtë televizion. Abramoviçi përdori median e kolegut për të marrë dy ndërmarrje shtetërore të nxjerrjes dhe rafinimit të naftës. Valentin Jumashevi ishte gazetar asokohe. Mori për grua gocën e Boris Jelcinit, Tatjanën. Valentini prezantoi Vladimir Putinin me politikanët e lartë në Moskë.

Të gjitha këto ngjarje janë shumë të ndërlikuara, porse lajtmotivi kryesor për t’i shpjeguar është me anë të operacioneve të CIA-s dhe të KGB-së.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *