Nga Ermal Mulosmani
Kutia e Pandorës është hapur. Tashmë nuk ka kthim mbrapa. Thënia e dikurshme e Ramës drejtuar pushtetit të Berishës: “Vidhni vota për të vjedhur Shqipërinë, pastaj vidhni Shqipërinë për të vjedhur vota” është vënë në zbatim në mënyrë kapilare dhe perfekte, nën dirigjimin e drejtpërdrejtë të tij. Veçse tani kohët kanë ndryshuar dhe, nëse atëherë korrupsioni ishte flagrant, por pa prova flagrante (përjashto videon e Metës), tani çdo shqiptar e ka parë se çfarë është bërë.
Nuk ka mbetur asnjë segment i pakorruptuar, secili sipas mundësive. Kur një sekser mes pushtetit dhe krimit arrin të dyfishojë fondin limit të tenderit të agjencisë më sekrete shtetërore nga 2 në 4 milionë euro, do të thotë që paratë publike janë në duar të hajdutëve më të pangopur që ka parë ndonjëherë shteti. Nuk kanë kurrfarë skrupujsh. Ata vjedhin dhe tallen me publikun.
Vetëm konsumi mujor i verërave të Kryeministrit kap shifrën e 700 mijë eurove, atë shumë për të cilën ndodhi gjëma e 21 Janarit 2011.
Sipërmarrja e nivelit më të lartë është korruptuar për t’iu përshtatur shtetit korruptues; media ka përfituar thërrimet e veta. Krimi është bërë një me shtetin, duke shuar çdo kufi të mendueshëm si vijë e kuqe. Mafia komandon. Ajo, me bekimin e shtetit, merr peng, kërcënon, shantazhon dhe terrorizon ata që guxojnë të mendojnë të dalin nga skema. Është një medet-shtet. Në fakt, është një shtet fasadë, brenda të cilit janë strehuar politikanë-banditë të paskrupullt dhe kriminelë të rrezikshëm ordinerë.
Gjithçka i dedikohet shtetit personal të një individi. Nuk është Belinda, as Veliaj, as Tahiri, as Beqja, as Karçanaj, as Agasi, as Poja, as Suel Çela apo ndonjë Suel tjetër. Është kapoja i të gjithëve, dora vetë Kryeministri. Ai është Kapobanda.
Nuk do doja kurrë që shteti im të diskreditohej deri në këtë farë feje. Çfarë turpi! Një shtet mafioz në çdo kapilar të tij.
Dënimi i të gjithë të inkriminuarve do të jetë shumë i vështirë, sepse janë shumë: qindra e ndoshta mijëra. Kur sistemi ka në bazë krimin, punonjësit, afërmendsh, shndërrohen në kriminelë, për pasojë. Duhen arrestuar nëpunës, drejtorë, ministra, kryetarë bashkish, eksponentë politikë të pozitës dhe opozitës. A ka fuqi drejtësia jonë për një kasaphanë të tillë?!
Në këto kushte, rezistenca do të jetë e fortë. Frika për rritje tensionesh, atentate, veprime haptazi autoritariste e mospërfillëse është e madhe.
Punë e madhe që mund të mos futemi në Evropë. Në këto kushte, Evropa është si dasma e planifikuar kur ka ndodhur morti në shtëpi.
Nuk do doja kurrë të isha dëshmitar i një degradimi të tillë shtetëror. Edhe pse e kam ëndërruar rënien e këtij pushteti, nuk e doja me këtë dëm dërrmues për imazhin e një vendi që dukej në prag të Evropës.

