Nga Sebastian Zonja
Fjalimet e liderëve politikë në samitin e Davosit në Zvicër janë shumë interesante për t’u ndjekur. Deri më tani, fjalimi më i bukur është cilësuar ai i kryeministrit kanadez Mark Karnei (Mark Carney). Faktikisht, është ndër fjalimet më të qarta për të parë rrezikun që na kanoset – ëndrra e kahmotshme e francezëve se mund të mbajnë më këmbë rendin ndërkombëtar me vlerat shkencore dhe iluministe pa ndihmën e Amerikës. Fjalime të tilla kemi lexuar shpesh nëpër librat e historisë, nga antikiteti se si athinjotët donin të ruanin vlerat përballë spartanëve dhe se si sot Hong Kongu donte të ruante demokracinë përballë Kinës. Në realitet, rendin që jetuam e mbante më këmbë Amerika.
Sot, publiku amerikan, në shumicë, duket se është i pakënaqur me realitetin politiko-ekonomik. Krizat e njëpasnjëshme, jo për shkaqe hyjnore, porse për makutëri dhe egoizma të njerëzve me pushtet e pa pushtet, sollën këtë situatë.
Aktualisht, për ta lexuar më qartë këtë strategji të re amerikane, le të hedhim një sy tek njëri prej ideologëve të politikës së re të jashtme, Elbrixh Kolbi (Elbridge Colby), i cili mban pozicionin e nënsekretarit të Mbrojtjes. Ai argumenton se strategjia e re e mbrojtjes së SHBA-së duhet të ndërtohet rreth qëllimit strategjik për t’i mohuar çdo vendi ose organizate rajonale vendesh mundësinë me pas pozicion dominues ose hegjemonik nëpër çdo kontinent të globit. “Nëse do lejonim këto grupime, disfavorizohen dhe përjashtohen Shtetet e Bashkuara nga tregtia e lirë dhe qasja në këto rajone”, shkruan ai. Për Kolbin, konkurente është Kina dhe Evropa, pasi Rusia nuk ka asnjë kapacitet të kthehet në fuqi dominuese rajonale apo kontinentale.
Sot, teksa analistët e marrëdhënieve ndërkombëtare janë të bindur se po rikthehet konkurrenca e Fuqive të Mëdha, duhet të kuptojmë se “momenti unipolar” i pas Luftës së Ftohtë ka përfunduar. Të gjithë aktorët po bëhen gati për një rend multipolar. Sipas SHBA-ve, përpjekja e Kinës për hegjemoni rajonale në Indo-Paqësor paraqet kërcënim ekzistencial për ndikimin global amerikan. Në këtë qasje, ajo që lexojmë është tentativa amerikane, ngjashëm me atë britanike shekullin e shkuar, për dominimin global përmes pengimit të kundërshtarëve që të arrijnë fitore vendimtare në teatrot kyç të energjetikës, tregtisë apo teknologjisë.
Duke parë fitoret e njëpasnjëshme të Kinës brenda këtij rendi, amerikanët kanë rrëzuar dy kolonat e rendit që jetuam – legjitimiteti i organizatave mbishtetërore dhe përdorimi i tarifave si instrument presioni. Diçka e re po lind, por askush nuk e ka idenë se çfarë është. Të vegjlit dridhen frike, të mëdhenjtë bëjnë llogari se si i leverdis më mirë, superfuqitë po përgatiten për më të keqen.
Në këtë rajonin tonë të trazuar kemi një fuqi të mesme si Turqia, e gatshme në çdo moment të shtrijë influencën e saj; Bashkimin Evropian ngjashëm me autobusin e Kuçit, ku Franca, Gjermania dhe Britania duan të ulen secili në vend të parë, ndërsa Amerika që ka kapacitetet ushtarake, tekonologjike dhe financiare nuk sjell as ambasador në ndonjërin prej vendeve të rajonit.
Aktualisht, ndërsa rivitalizohet koncepti politik i shtet-kombit, ajo që vëmë re në Tiranë është se e djathta ka ende në thelb të diskutimit të saj nëse shteti duhet të jetë i vogël apo i madh. Ky debat ka dekada që është mbyllur, pasi administrata duhet të jetë eficiente, as e madhe, as e vogël. Por përhumbja nëpër kallamishte është veti e së ashtuquajturës e djathtë në Shqipëri.
Ndërkohë, e majta është kthyer në ngrehinë korrupsioni sistemik që ka kapur gjithë shtetin. Aftësia e kryeministrit Edi Rama me e paraqit Shqipërinë si faktor stabiliteti në Ballkan në këtë situatë të trazuar ka pasur pasojat e veta në situatën e brendshme politike, duke na çuar drejt autokracisë. Sa më shumë nevojë ka për pará për të bërë lobing nëpër qendrat e pushtetit evropian dhe amerikan, aq më shumë tendera marrin oligarkët vendas. Emri i tij lartësohet, vendi humb përditë e më shumë meritokracinë. Në fund, gjasat janë se do mbetemi pa rritje ekonomike për shkak të largimit të trurit, pa stabilitet për shkak të gërryerjes së strukturave shtetërore nga korrupsioni dhe me kryeministra të dobët, njëri pas tjetrit, kur ky i fundit të largohet nga skena politike. Është cikël sociologjik që liderin e fortë e ndjek gjithnjë i dobëti.
Mbreti Zog ishte lider i shkathët, por në fund na gollofiti Italia fashiste. Kushti i të qenit shtet me këllqe nuk është shkathtësia e liderit, por ushtria dhe financat. Ne nuk kemi as njërën, as tjetrën aktualisht. Vendin e ka kapluar një krizë e shumëfishtë, ndër të cilat, më e rrezikshmja, është ajo demografike. Në këtë kuadër, pyetja që i shtrojmë vetes është se pse duhet të na konsiderojnë aleatë kur kthehemi në barrë me këtë strukturë të kalbur shtetërore?
Mentaliteti i të qenit vasal është pjesë e qenësishme e mendimit politik prej dekadash – nëse s’na merr Amerika, na merr Bashkimi Evropian. Nëse s’na merr ndonjëri prej tyre, jemi pikë mjalti për Kinën, tha kryeministri Edi Rama.
“Fuqia e të pafuqishmëve është mendimi”, thotë filozofi italian Xhorxho Agamben. Ndaj, vlen të pyesim se çfarë lloji mendimi është ky që bërtet politika shqiptare nën Italinë fashiste, Rusinë sovjetike dhe Kinën maoiste – “po s’na e vari kjo, aq më bën, tjetra”?
E kemi thënë dhe e përsërisim se në këtë rend politik komb-shtetesh prej thuajse dy shekujsh mendim politik prodhon vetëm interesi kombëtar. Mendimi politik liberal, demokratik, komunist, konservator, socialist, anarkist, amerikan, evropian, perëndimor, lindor… prodhon debate interesante që, me këtë situatë që ndodhemi, do i bëjmë nga emigracioni.

