Rama Balluku Pacolli
Dokumentet e siguruara nga BIRN sugjerojnë se Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë mori përsipër risqe financiare shtesë në favor të kompanisë koncesionare të aeroportit të Vlorës gjatë negocimit të kontratës, pavarësisht rekomandimeve të Ministrisë së Financave.
Më 20 prill 2021, kryeministri Edi Rama hoqi maskën e pandemisë dhe u ngjit në podium për të përshëndetur nënshkrimin e kontratës koncesionare për ndërtimin e aeroportit të Vlorës – një bast elektoral i hershëm i tij, që po merrte jetë në prag të zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit.
Rama nuk e fshehu triumfin, ndërsa deklaroi se kishte menduar më parë se projektin e përndiqte një mallkim.
“…Belinda e di shumë mirë, në një moment të caktuar unë fillova t’i them ‘nuk ka mundësi, ka një mallkim’. Dikush e ka mallkuar këtë projekt, sepse sapo zgjidhnim një problem, lindte një tjetër,” tha ai në ceremoni.
Pas një kalvari të gjatë premtimesh dhe vonesash, kontrata koncesionare u firmos nga ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku dhe përfaqësuesi i konsorciumit fitues, ndërkohë që Rama dhe biznesmeni Behgjet Pacolli qëndronin në këmbë pas tyre.
Por ndërsa aeroporti nuk ka përfunduar ende pesë vjet më vonë, e ardhmja e tij është vënë seriozisht në pikëpyetje nga një konflikt i ashpër gjyqësor mes aksionerësh dhe një seri padish penale për manipulim dhe mashtrim të shkëmbyera mes tyre.
Implikimet e konfliktit shkojnë megjithatë përtej aksionerëve.
Dhjetra dokumente të analizuara nga BIRN sugjerojnë se përveç të ardhurave të garantuara prej 138 milionë eurosh, buxheti i shtetit rrezikon të ngarkohet me dhjetra milionë euro detyrime të tjera shtesë në rastin e një zgjidhje të parakohshme të kontratës.
Ky risk financiar iu ngarkua shtetit gjatë procedurave të negocimit të kontratës, pasi Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë mori përsipër që të paguante huatë e marra nga kompania koncesionare në institucionet bankare, në kundërshtim me rekomandimin e Ministrisë së Financave.
Dokumentet e shqyrtuara nga BIRN përmbajnë një letërkëmbim intensiv mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe asaj të Financave në tre ditët që i paraprinë ceremonisë së nënshkrimit të kontratës koncesionare.
Përveç riskut të huave bankare, koncesionarit iu la dorë e lirë në vendosjen e tarifave aeroportuale pa një miratim paraprak nga autoriteti kontraktor, çka vlerësohet se mund të ndikojë në efikasitetin e projektit.
Sipas ekspertëve të ekonomisë, këto detaje e bëjnë aeroportin e Vlorës një tjetër shembull të kontratave problematike të partneritetit publik privat të qeverisë “Rama”, ku rreziqet i ngarkohen shtetit dhe përfitimet privatit.
“Kjo nuk është një PPP,” thotë Azmi Stringa, pedagog i Financës në Universitetin e New Yorkut në Tiranë.
“Nëse shteti i garanton privatit 130% të vlerës që ka investuar, i bie që koncesionari ka zero risqe të marra përsipër dhe kjo thyen totalisht konceptin e PPP-së,” shtoi ai.
Këshilli i Ministrave, Ministria e Infrastrukturës dhe Ministria e Financave nuk iu përgjigjën pyetjeve të BIRN deri në publikimin e këtij shkrimi.
(teksti vijon pa ndryshime deri në fund, njësoj si origjinali i dërguar)
Burimi: BIRN

