Nga Atbër Zaimi

Lenini shkruante, në një pamflet drejtuar europianëve të shtresës punëtore, se “përkufizimi më i shkurtër për imperializmin është ta quash etapa monopolizuese e kapitalizmit”. Simbas tij vjen një moment kur kapitalizmi e lë pas fazën liberale, laissez-faire-in klasik që themelohet mbi konkurrencën. Vetë konkurrenca prodhon fitues, të cilët gradualisht i gllabërojnë humbësit e priren të bëhen monopole. Industria (prodhimi, teknologjia) përqendrohet gjithnjë e më shumë në duart e pak korporatave e karteleve, të cilat për të operuar kanë nevojë për kredi të stërmëdha nga bankat, prandaj hyjnë në raport ndërvarësie me to. Kartelet që zotërojnë tregje monopoliste varen prej bankave të mëdha, por edhe këto pasi kryejnë kreditimin varen prej karteleve, e shpesh hyjnë në ombrella të përbashkëta pronësore. Këtë kombinim të korporatave industriale dhe bankare Lenini e quante “kapital financiar”:

Oligarkia e krijuar shpejt i ezauron tregjet ku dominon dhe fitimi prej investimit vjen duke u zvogëluar, prandaj ajo kërkon prej politikës shtetërore të hapë tregje e mundësi të reja investimi për ta edhe jashtë vendit, ndonjëherë edhe brenda vendit duke larguar rregullativa mbrojtëse e duke shkatërruar sektorë të ekonomisë e të shoqërisë që të krijohet nevoja për rindërtim (creative destruction). Këtë proces Lenini e ndan në faza:

  1. Koncentrimi i prodhimit dhe i kapitalit zhvillohet deri në atë pikë sa krijohen monopole që luajnë rol vendimtar për ekonominë.
  2. Bashkimi i kapitalit bankar me atë industrial krijon bazën për “kapital financiar” që kontrollohet prej një oligarkie financiare.
  3. Eksportimi i kapitalit, lëvizja ndërkombëtare e kapitalit, merr peshë edhe më të madhe se eksporti i komoditeteve.
  4. Formohen grupe ndërkombëtare monopolistësh që e ndajnë botën mes veti.
  5. Edhe shtetet e mëdha kapitaliste, që vetëquhen superfuqi, e përdorin fuqinë ushtarake e fuqitë e tjera për ta ndarë botën mes njëra-tjetrës.

Imperializmin Lenini e quante “etapa përfundimtare e kapitalizmit”, që përngjan me socializmin sepse prodhimi është gjithnjë e më shoqëror (pra edhe shoqëria trajtohet gjithnjë e më shumë si punëtorët e dikurshëm, nën vëzhgim e menaxhim të pandalshëm), sidomos ai teknik e teknologjik, por edhe dallon me socializmin sepse fitimi mbetet privat. Përngjan kjo pak me platformat e ndryshme të teknologjisë së fundit, sidomos ato AI e të tech-platformave tregtuese e prodhuese, të cilat vjelin prodhimin nga gjithë shoqëria (që prodhon të dhënat e përpunueshme), ndërsa fitimi shkon në duart e fare pak monopolistëve, të cilët siç duket kanë jo pak ndikim në qarqe të larta politike të superfuqive.

Natyrisht Lenini nuk dinte gjë dhe ia fuste kot.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *