Nga Milaim Nela
55% të votave të Kuvendit të LDK-së për Lumir Abdixhikun nuk janë shenjë e demokracisë së brendshme të kësaj partie, por janë indikacion i qartë i kapjes së saj nga një klan që nuk ka lidhje as me të djathtën, as me rugovizmin e as me shtetndërtimin e Kosovës.
Çfarë pret LDK me rikonfirmimin e Lumir Abdixhikut dhe ku synon ta çojë LDK-në?
Për 5 vjet e mbajti aty ku e mori, pra nga 12% në 13%.
Çfarë analize e çfarë reflektimi u bë në Kuvendin e LDK-së sot?
A u analizua pse elektorati i LDK-së e ka braktisur partinë e Rugovës në përmasa të paimagjinueshme më parë?
A analizua pse zgjedhësit kosovarë nuk e duan Lumir Abdixhikun për prijës të LDK-së?
Përpos rregullave dhe statuteve partiake, a ka konfirmim dhe votëbesim më të kthjellët dhe më të qartë se ajo e votuesit në zgjedhjet nacionale e lokale?
E kjo ka ndodhur jo vetëm njëherë, por disa herë.
Çfarë ndodhi në 5 vitet e fundit me Abdixhikun kryetar?
Ai u fut në zyrën e kryetarit të LDK-së duke hequr portretin e Ibrahim Rugovës dhe në zgjedhjet e fundit e riktheu duke përdorur emrin e presidentit historik dhe familjarëve të tij vetëm si varkë shpëtimi për t’i shpëtuar fundosjes e jo si rikthim tek parimet rugoviste.
Ai solli Ukë Rugovën në Parlament si deputet të LDK-së jo për kontribut politik personal, por vetëm si fasadë rugoviste për të marrë një grusht vota.
Ai e përmendi disa herë sot trashëgiminë shtetformuese të LDK-së, por nën lidershipin e tij vetëm shtetformim nuk ka treguar.
LDK nën udhëheqjen e tij për një vit rresht u bë krah i Listës Serbe dhe PDK-së për të penguar formimin e institucioneve pas zgjedhjeve të 9 shkurtit të vitit të kaluar, duke dëmtuar veten dhe interesin shtetëror të Kosovës.
LDK nën udhëheqjen e tij u bë krah i Listës Serbe jo vetëm duke mos njohur shtrirjen e sovranitetit të qeverisë Kurti në veriun e Kosovës, por duke dalë me deklarata absurde kundër interesave të vendit.
LDK nën udhëheqjen e Lumir Abdixhikut nuk ka bërë absolutisht asnjë hap prapa kur vjen puna te koncesionet që i janë bërë Serbisë në veri me marrëveshjen e vitit 2015 Thaçi–Mustafa për asociacionin e komunave me shumicë serbe, por vazhdoi me të njëjtën gjuhë të cilën e përdor edhe sot: “Asociacioni duhet të miratohet siç e kërkojnë ndërkombëtarët” dhe “Kosova duhet të japë diçka në këmbim të njohjes nga Serbia”.
Ky qëndrim, besoj unë, është shkaku kryesor pse zgjedhësi kosovar nuk i beson e nuk e voton LDK-në.
LDK me Lumir Abdixhikun në krye, duke qenë e djathtë në letra, në opozitë dhe duke mos pasur asnjë detyrim ligjor, ka bërë një afrim të pashembullt me kryetarin e partisë me tre mbiemra të themeluar nga Miladin Popoviçi e Dushan Mugosha e që sot ka kryetar Edi Ramën, njeriun që – sipas autorit – nuk ka lënë gurë pa luajtur për ta rrënuar shtetësinë e Kosovës, që nga qëndrimi ndaj veriut të Kosovës duke e quajtur tokë e askujt e duke vazhduar me Ballkanin e Hapur e deri te përpjekjet për ndarjen e Kosovës.
Votuesi tradicional i LDK-së nuk ha bar, por është i vëmendshëm ndaj këtyre qëndrimeve.
Personalisht, besoj se me konfirmimin e Lumir Abdixhikut në krye të saj, LDK është një hap më afër daljes së saj përfundimtare nga skena politike kosovare, skenë e cila rrezikon të ngelet pa asnjë parti të djathtë.
A do të heshtin themeluesit e LDK-së dhe rugovistët e vërtetë?

