Publicisti Shkëlzen Gashi ka reaguar lidhur me debatet e fundit rreth paraqitjes së Masakrës në Burgun e Dubravës në ekspozitën dhe librin e tij “Masakrat në Kosovë 1998–1999”, duke theksuar se polemika lidhet kryesisht me mënyrën e kategorizimit të viktimave në listën e përdorur si burim.

Sipas Gashit, libri dhe ekspozita e prezantuar në Prishtinë më 24 mars 2026 janë pjesë e një projekti më të gjerë dokumentues mbi masakrat gjatë luftës në Kosovë, i cili përfshin edhe krijimin e një uebfaqeje të dedikuar për këtë temë. Ai thotë se për përpilimin e listave të viktimave është përdorur databaza e organizatës Humanitarian Law Center, e drejtuar nga Natasha Kandiç, pasi konsiderohet burimi më gjithëpërfshirës për të vrarët gjatë luftës në Kosovë.

Megjithatë, Gashi thekson se në këtë listë ka pasaktësi në kategorizimin e statusit të disa viktimave. Si shembull ai përmend Masakrën në Burgun e Dubravës në maj të vitit 1999, ku sipas listës së HLC-së figurojnë 106 të vrarë, prej të cilëve 58 civilë dhe 48 të kategorizuar si pjesëtarë të formacioneve të armatosura apo ushtarë. 

Sipas Gashit, këta persona kanë qenë të burgosur civilë dhe klasifikimi i tyre në këtë kategori krijon paqartësi.

Ai argumenton se dokumentet metodologjike të vetë databazës së HLC-së tregojnë se statusi i viktimave duhet të regjistrohet sipas gjendjes në momentin e vrasjes ose zhdukjes, gjë që, sipas tij, bie ndesh me deklarimet e fundit publike të Kandić për këtë çështje.

Publicisti thekson se e vlerëson punën e Kandiçit në dokumentimin e krimeve të luftës, por i bën thirrje që lista e viktimave të përditësohet dhe të korrigjohet në rastet ku civilët figurojnë si pjesëtarë të formacioneve të armatosura. Ai përmend se pas korrigjimeve të mundshme, është i gatshëm të përditësojë edhe të dhënat në librin, ekspozitën dhe uebfaqen e projektit të tij.

Në reagimin e tij, Gashi kritikon gjithashtu fushatën politike dhe mediatike që pasoi debatin për ekspozitën, duke e cilësuar atë si një përpjekje për delegjitimimin e punës së tij. 

Ai shpreh shqetësim edhe për përfshirjen e institucioneve në këtë çështje, duke paralajmëruar se kalimi nga debati publik dhe shkencor në presion politik dhe penal mund të dëmtojë lirinë e shprehjes dhe standardet demokratike në Kosovë.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *