Nga Bajram Mjeku

Për herë të parë, emrin e Mark Gashit e kam dëgjuar në gjysmën e dytë të viteve tetëdhjetë nga djali i tij, Mirko Gashi, njëri ndër poetët dhe eruditët më të shquar kosovarë.

Sa herë që e përmendte emrin e babait të tij, Mirko nuk arrinte ta përfundonte rrëfimin për të atin, pasi rrëmbehej nga emocionet. Edhe në raste të tjera, kur niste të fliste për të, nuk përmbahej nga emocionet e forta dhe kështu rrëfimi për Mark Gashin mbetej gjithmonë i papërfunduar…

Pak kush e di se Mark Gashi ishte pilot i aviacionit ushtarak në Jugosllavinë Mbretërore gjatë viteve ’30 të shekullit të kaluar dhe besohet të ketë qenë piloti i parë shqiptar në këtë formacion.

Mark Gashi u lind në vitin 1913 në Selishtë të Karadakut të Gjilanit, nga babai Antonio dhe nëna Marie.

Shkollën fillore e kreu në Zhegër, ndërsa gjimnazin në Gjilan. Më pas shkoi në Shkup, ku përfundoi edhe Shkollën Normale. Gjatë sundimit të Jugosllavisë mbretërore, Mark Gashi kreu Akademinë Ushtarake të aviacionit në Mostar dhe Zemun.

Pas shkatërrimit të Jugosllavisë mbretërore, ai u arrestua nga bullgarët, pasi vendlindja e tij, Selishta, ndodhej në zonën bullgare të pushtimit. Së bashku me disa shokë burgu, arriti të arratisej nga burgu bullgar i Preshevës dhe u kthye në Gjilan, i cili ishte në zonën italiane të pushtimit. Edhe autoritetet italiane e internuan dhe e dërguan në Bergamo të Italisë, por u lirua pas tre muajsh.

Pas kthimit nga internimi, Mark Gashi punoi si sekretar në Komunën e Strezovcit, më pas në fshatrat Ropotovë dhe Parallovë të Kamenicës. Ai shërbeu edhe si infermier në Shtëpinë e Shëndetit në Ferizaj, arkivist në Gjykatën e Paqit në nënprefekturën e Gjilanit dhe, së fundi, si toger intendant në Ushtrinë e Shqipërisë.

Gjatë vitit 1944, krahas angazhimeve administrative dhe ushtarake, ai iu përkushtua mbrojtjes së trojeve etnike lindore dhe përfshirjes së tyre brenda kufijve të Shqipërisë etnike.

Pas ripushtimit të Kosovës nga Serbia në nëntor të vitit 1944, Mark Gashi u inkuadrua në Brigadën e Shtatë të Preshevës. Në mars të vitit 1946, u arrestua nga regjimi komunist dhe u dënua me disa vite burg, për shkak të pjesëmarrjes në luftimet për mbrojtjen e vijës kufitare shqiptaro-serbe gjatë Luftës së Preshevës më 15 shtator 1944.

Ai u lirua pas katër vjet e gjysmë burgimi dhe më pas punoi si arkivist, mësues dhe drejtor shkolle në Caravajkë. Gjithashtu, shërbeu si përgjegjës i arsimit në Preshevë, ku kontribuoi në hapjen e disa shkollave shqipe.

Për shkak të veprimtarisë së tij, u arrestua sërish në vitin 1958 nga regjimi komunist, këtë herë si aktivist i Lëvizjes Nacionaldemokratike shqiptare, dhe u dënua me dhjetë vite burg të rëndë.

Idealisti i përjetshëm, Mark Gashi, deri në fund të jetës jetoi në një banesë me qira në Prishtinë, së bashku me djalin e tij, Mirko Gashi.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *