Studiuesi dhe filozofi Sead Zimeri ka ngritur shqetësime të forta për marrëdhëniet mes shqiptarëve dhe maqedonasve në Maqedoninë e Veriut, duke thënë se në praktikë ekzistojnë “dy shoqëri që nuk dinë si të flasin me njëra-tjetrën”.

Sipas tij, komunitetet jetojnë të ndara në mënyrë të thellë në arsim, vendbanime, kulturë dhe në jetën publike, duke mos pasur pothuajse asnjë kontakt të drejtpërdrejtë shoqëror apo kulturor.

“Shqiptarët dhe maqedonasit nuk i ndajnë shkollat, nuk banojnë në të njëjtat vende, nuk shkëmbejnë mendime dhe kulturë… jemi plotësisht të huaj për njëri-tjetrin”, thekson Zimeri, duke shtuar se e vetmja formë komunikimi mes tyre shpesh ndodh përmes politikës dhe rrjeteve sociale, ku dominon polarizimi.

Ai paralajmëron se kjo gjendje nuk mund të zgjasë pafundësisht, pasi një shtet që funksionon mbi izolimin e brendshëm të komuniteteve, sipas tij, mbetet i brishtë dhe i paqëndrueshëm.

Zimeri thekson nevojën për një dialog të mirëfilltë ndërkulturor që përfshin shtresa të gjera të shoqërisë dhe jo vetëm elitat politike. Sipas tij, vetëm përmes këtij afrimi mund të ndërtohet një koncept qytetar funksional i shtetit.

Duke komentuar perceptimet mes dy komuniteteve, ai thotë se frika e maqedonasve për ndryshimin demografik dhe identitar është e pabazë dhe nuk mund të përdoret si justifikim për trajtim të pabarabartë të shqiptarëve.

“Të drejtat qytetare nuk burojnë nga fakti nëse kombi yt ka apo jo një shtet tjetër, por nga fakti që je qytetar i këtij shteti”, thekson ai, duke shtuar se shqiptarët në Maqedoninë e Veriut janë “në vendin e tyre”.

Në analizën e tij, Zimeri kritikon edhe mënyrën se si elitat politike dhe institucionale i perceptojnë komunitetet përmes stereotipeve të vjetruara, duke paralajmëruar se kjo pengon çdo përparim në marrëdhëniet ndëretnike.

Në fund, ai propozon hapa konkretë për thyerjen e izolimit mes komuniteteve, përfshirë shkolla të përbashkëta, programe shkëmbimi universitar, nisma kulturore dhe bashkëpunim më të madh mediatik, si mënyra të domosdoshme për ndërtimin e një bashkëjetese funksionale në vend.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *