Ministri i Jashtëm i Kosovës, Glauk Konjufca, ka kritikuar ish-emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë–Serbi, Miroslav Lajçák, duke e akuzuar se i ka vendosur Kosovës kushtin për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe si parakusht për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
Në një konferencë për media në Prishtinë, pas takimit me homologun belg Maxime Prévot, Konjufca tha se ky kusht nuk ka qenë pjesë e kritereve zyrtare për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.
Sipas tij, kjo çështje i është “vendosur në shpinë” Kosovës në mënyrë të padrejtë nga Lajçaku.
“Neve na ka mbetur diçka peng, një gjë e vendosur nga një person i cili në mënyrë të palavdishme dha dorëheqje, z. Lajçak. Në Këshillin e Evropës nuk ka pasur kusht për themelimin e Asociacionit; këtë na e ka vendosur ai në mënyrë jomeritore, për të mos thënë të pandershme”, u shpreh Konjufca.
Ai theksoi se kushti i vetëm që është përmendur për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës lidhet me çështjen e Manastirit të Deçanit.
Konjufca shtoi se Kosova pret mbështetje nga partnerët ndërkombëtarë për të hequr këtë kusht dhe për të avancuar procesin e anëtarësimit.
Ndërkohë, Lajçák së fundmi ka dhënë dorëheqje nga posti i këshilltarit të kryeministrit të Sllovakisë, Robert Fico, pasi emri i tij u përmend në dosjen e të dënuarit për krime seksuale ndaj të miturve, Jeffrey Epstein.
Diplomati sllovak kishte shërbyer si emisar i BE-së për dialogun Kosovë–Serbi nga prilli i vitit 2020 deri në fund të janarit 2025. Pas tij, më 1 shkurt të këtij viti, këtë detyrë e mori diplomati danez Peter Sørensen.

