Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i është drejtuar zyrtarisht Gjykatës Administrative me një kërkesë për lejimin e transmetimit të drejtpërdrejtë të seancave gjyqësore ku ai është palë.
Në kërkesën e tij, Veliaj argumenton se parimi i transparencës së gjykimit duhet të garantohet në mënyrë të plotë dhe efektive, duke mundësuar ndjekjen live të procesit nga publiku. Sipas tij, kufizimi i aksesit vetëm përmes pranisë fizike në sallë nuk përmbush standardin e transparencës së kërkuar nga ligji.
Ai sjell si shembull praktikën e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, e cila transmeton live seancat publike, duke e konsideruar këtë si një model që duhet ndjekur edhe nga gjykatat e tjera.
Sipas Veliajt, transmetimi i drejtpërdrejtë rrit besimin e publikut në drejtësi dhe garanton informim të plotë për qytetarët, sidomos në çështje me interes të lartë publik dhe me vëmendje të madhe mediatike.
Ai thekson gjithashtu se transparenca e plotë është detyrim ndaj publikut, duke argumentuar se ndjekja në kohë reale e procesit gjyqësor ndihmon në rritjen e besimit dhe shmang paqartësitë rreth çështjes.

