Vetëm dy ditë kanë mbetur nga afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri, ndërsa partitë politike në Kosovë vijojnë të mos gjejnë konsensus për një kandidat të përbashkët.
Afati përfundon nesër, por deri më tani nuk ka një emër që mund të sigurojë mbështetjen e të paktën 80 deputetëve, të nevojshëm për zgjedhjen e presidentit.
Lëvizja Vetëvendosje (LVV) u ka propozuar Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) që të paraqesin tri kandidatura për postin e presidentit, duke u zotuar se do të ofrojë nënshkrimet për formalizimin e tyre dhe se do të votojë njërin prej kandidatëve. Kjo ofertë u publikua vetëm tri ditë para skadimit të afatit kushtetues.
Megjithatë, PDK-ja e ka refuzuar këtë propozim, duke e cilësuar si manovër politike të kryeministrit Albin Kurti. Kryetari i kësaj partie, Bedri Hamza, deklaroi se për PDK-në çështja e presidentit tashmë është e mbyllur.
Ndërkohë, LDK-ja ka vendosur kushte për përfshirjen në proces, duke përmendur si mundësi rikandidimin e ish-presidentes Vjosa Osmani, me kusht që të garantohet mbështetja prej 66 votash nga Vetëvendosje.
Në mungesë të një marrëveshjeje, vendi rrezikon të shkojë në zgjedhje të reja parlamentare, nëse Kuvendi nuk arrin ta zgjedhë presidentin brenda afatit të përcaktuar.
