LEZHË – Policia ka bërë përparime në hetimet për vrasjen e Kreshnik dhe Gentjana Mujeci, duke identifikuar dy automjete të përdorura nga autorët e krimit.
Sipas burimeve, njëra prej makinave është me ngjyrë të zezë, ndërsa tjetra gri. Hetuesit po verifikojnë targat e tyre, të cilat mund të çojnë në identifikimin e autorëve.
Dyshohet se në këto mjete ndodheshin katër persona, të cilët kanë ndjekur për disa kilometra automjetin tip “Audi Q7” që drejtohej nga 39-vjeçari. Sipas hetimeve, njëri prej automjeteve i ka prerë rrugën viktimës dhe më pas dy nga autorët kanë hapur zjarr me breshëri. Në vendngjarje janë gjetur të paktën 40 gëzhoja.
Pas krimit, autorët janë larguar në drejtim të Torovicës, një zonë që ofron disa dalje drejt Velipojës, Shkodrës dhe Shëngjinit.
Hetimet janë fokusuar në disa pista, ku kryesorja mbetet ajo e hakmarrjes për një ngjarje të ndodhur rreth 10 vite më parë, ku Kreshnik Mujeci dyshohej si i përfshirë në ekzekutimin e Genc Mhillajt në Malin e Jushit, në Shkodër—ngjarje për të cilën ai nuk është dënuar.
Pas atentatit, policia ka ushtruar kontrolle në disa banesa në zonat e Torovicës, Malecajt dhe Balldrenit, ndërsa hetimet vijojnë.
