Legjendat e Manchester United, Peter Schmeichel dhe Paul Scholes, kanë hyrë në një debat mbi mundësinë e transferimit të Granit Xhakës te “Old Trafford”.
Ish-portieri danez, Schmeichel, ka sugjeruar se United ka nevojë për një profil lideri në mesfushë dhe ka propozuar afrimin e ish-lojtarit të Arsenalit dhe kapitenit aktual të Sunderlandit, Granit Xhaka.
“Do të shkoja dhe do ta nënshkruaja Xhakën. Mendoj se na duhet lidership në skuadër”, ka deklaruar Schmeichel.
Megjithatë, kjo ide është kundërshtuar menjëherë nga Paul Scholes, i cili nuk e sheh këtë transferim si zgjidhjen e duhur.
“Jo, nuk mendoj se është zgjidhja e duhur”, u shpreh Scholes, duke shfaqur dyshime për përshtatshmërinë e tij në sistemin aktual të ekipit.
Nga ana tjetër, Schmeichel ka këmbëngulur se Xhaka do të sillte stabilitet dhe karakter në dhomën e zhveshjes, duke e cilësuar atë si një lojtar me ndikim të madh te Sunderland.
Ai theksoi se Manchester United ka nevojë për më shumë lidership në fushë dhe jashtë saj, sidomos në një periudhë rindërtimi të skuadrës.
Debati mes dy legjendave pasqyron ndarjet e mendimeve rreth strategjisë së transferimeve te klubi anglez.

