GJERMANI – Një pediatër 45-vjeçar në Brandenburg është vënë nën akuzë për 130 raste të dyshuara abuzimi seksual ndaj të miturve, në një nga çështjet më të rënda që ka tronditur opinionin publik në Gjermani.
Sipas Prokurorisë së Potsdamit, mjeku dyshohet se i ka kryer shumicën e veprave gjatë ushtrimit të detyrës si pediatër, përgjatë viteve 2013–2025.
Hetimet nisën pas kallëzimit të nënës së një fëmije, ndërsa më pas autoritetet zbuluan raste të tjera të dyshuara në një spital në Rathenow, pranë Berlinit.
Policia sekuestroi pajisje elektronike dhe hapi një hetim të gjerë për identifikimin e viktimave të tjera të mundshme. Mjeku ndodhet në paraburgim që prej nëntorit të vitit të kaluar.
Autoritetet gjermane deklaruan se ekzistonte rreziku i përsëritjes së krimeve, çka ndikoi në vendimin për mbajtjen e tij në arrest.
Ndërkohë, rrjeti spitalor “Havelland Clinics” ka nisur një hetim të brendshëm dhe paralajmëroi rishikim të procedurave të sigurisë në institucionet shëndetësore.

