Nga Lutfi Dervishi

Për ata që thonë se “protesta nuk ka arritur asgjë”, ndoshta duhet të kujtojmë se ka kaluar vetëm një javë.

Në shtatë ditë ka ndodhur më shumë sesa në shumë protesta të organizuara nga partitë apo administrata.

1. Të rinjtë treguan se mund të organizojnë protesta masive edhe pa parti, pa liderë dhe pa militantë.

2. Në fillim u hoqën telat me gjemba në Zvërnec, pastaj u hoq gardhi. Kur një protestë arrin të lëvizë edhe tela e beton, vështirë të thuash se nuk ka lëvizur asgjë.

3. Njerëzit që u sollën si “shteti” në Zvërnec u identifikuan dhe u ndaluan. Drejtuesi i policisë humbi postin dhe kjo nuk do të kishte ndodhur pa presion publik.

4. Zvërneci nxori edhe një herë në pah krizën e mediave tradicionale. Mungesa e raportimit u bë vetë lajm.

5. Protesta po tregon se, në epokën e rrjeteve sociale, një meme e zgjuar mund të ketë më shumë ndikim sesa dhjetë fjalime dhe njëqind shishe molotovi.

6. Detyroi Kryeministrin të flasë publikisht për projektin. Deri më tani, debati zhvillohej sikur qytetarët duhej ta shihnin vetëm pasi të ishte bërë fakt i kryer.

7. E ktheu një çështje lokale në temë kombëtare dhe ndërkombëtare. Media të huaja, organizata dhe opinionistë filluan ta ndjekin nga afër.

8. I kujtoi qeverisë dhe opozitës se ekziston edhe një publik jashtë militantëve dhe jashtë sondazheve.

9. Riktheu protestën si mjet qytetar. Për vite me radhë, mantra ishte se pa parti nuk mblidhen njerëz. Rezultoi se, ndonjëherë, njerëzit mblidhen pikërisht sepse nuk ka parti.

10. Është protesta e parë në dekada që vazhdon ditë pas dite me të njëjtin intensitet, pa strukturë klasike politike dhe pa financime të dukshme.

11. Është ndoshta protesta e parë ku shumica dërrmuese e folësve nuk janë figura publike. Mikrofonin nuk e kanë pushtuar profesionistët e politikës, por qytetarët.

12. Ka prodhuar një brez të ri aktivistësh, emra që një javë më parë nuk i njihte askush dhe që sot dëgjohen nga mijëra njerëz.

13. Ka thyer monopolin e interpretimit politik. Për herë të parë pas shumë kohësh, ngjarjen nuk po e shpjegojnë vetëm partitë, analistët dhe studiot televizive.

14. Ka krijuar një pyetje që para një jave dukej e paimagjinueshme: Po sikur ndryshimi të mos vijë nga partitë, por nga qytetarët?

15. Ka dëshmuar se ka ende rini në këtë vend dhe se shqiptarët ngrihen.

A do të fitojë? Askush nuk e di.

Por të thuash se nuk ka arritur asgjë, pasi ka lëvizur gardhe, ka detyruar reagime, ka sjellë dorëheqje, ka tërhequr vëmendje ndërkombëtare dhe ka mbajtur sheshin plot për shtatë ditë rresht, është pak a shumë si të thuash se nuk po bie shi, ndërsa je lagur deri në palcë.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *