Kanë përfunduar kërkimet për ish-ushtarakun e karrierës dhe ish-drejtuesin e Gardës së Republikës, Flamur Kolmarku, i cili ishte shpallur i humbur prej pasdites së të enjtes.
Lajmi është konfirmuar nga familjarët, të cilët bënë të ditur se 55-vjeçari është gjetur pa shenja jete, pas disa ditësh kërkimesh intensive. Pas largimit nga banesa, të afërmit kishin kërkuar ndihmën e policisë dhe qytetarëve për lokalizimin e tij.
Sipas familjes, Kolmarku vuante nga një formë e rëndë e demencës, që i kishte shkaktuar probleme të theksuara me kujtesën dhe orientimin. Pikërisht gjendja e tij shëndetësore ishte bërë shkak për humbjen e kontakteve me familjarët.
Për më shumë se 20 vite, Kolmarku shërbeu në strukturat e Garda e Republikës, duke mbajtur poste drejtuese dhe duke qenë një emër i njohur në fushën e sigurisë.
