Kryetari i Partisë Atdheu, Kreshnik Osmani, ka lëshuar një mesazh të ashpër ndaj kryeministrit Edi Rama në prag të protestës së paralajmëruar në Tiranë.
Përmes një reagimi publik, Osmani i kërkoi Ramës që të mbajë larg protestës personat që, sipas tij, përpiqen ta kontrollojnë apo ta ndikojnë atë, duke e cilësuar këtë si “paralajmërimin e fundit” për kreun e qeverisë.
“Ti ke rënë dhe e ke kuptuar edhe vetë që ke rënë. Mos bëj asnjë lloj përpëlitjeje, sepse nuk të bën dërman”, shprehet Osmani në deklaratën e tij.
Ai pretendon se protesta po përballet me tentativa për t’u kontrolluar nga aktorë të ndryshëm politikë dhe mediatikë, ndërsa paralajmëron se çdo përpjekje për ta devijuar apo përvetësuar atë është e destinuar të dështojë.
Në reagimin e tij, Osmani përmend edhe emra të njohur të politikës dhe medias shqiptare, duke u bërë thirrje që të mos ndërhyjnë në organizimin dhe drejtimin e protestës.
Sipas kreut të Partisë Atdheu, protesta përfaqëson një lëvizje që shkon përtej interesave partiake dhe nuk mund të kontrollohet nga faktorët tradicionalë politikë në vend.
Në fund të mesazhit, ai u bëri thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në protestën e parashikuar të mbahet në Tiranë në orën 18:00, duke e cilësuar periudhën aktuale si një moment vendimtar për të ardhmen e Shqipërisë.
