Nga Arlinda Guma
Sorrentino ka thënë dikur shumë prej aktorëve janë si fëmijët që recitojnë para gjyshërve e prindërve, por aktorët shqiptarë janë edhe më keq…
Këta janë aktorët shqiptarë! Hiqu pak skenarin dhe lëri të flasin me fjalët e tyre për të kuptuar mizerabilitetin e tyre të thellë ekzistencial!
E kam thënë edhe më parë, artistit shqiptar i mungon formimi i përgjithshëm kulturor. Edhe në rastet kur ai mund të ketë ndonjëfarë talenti teknik në fushën e tij, përsëri kjo mangësi ndihet kur ai jep ndonjë intervistë apo shkruan ndonjë status. Artisti shqiptar ka një mungesë të madhe kultivimi, ai nuk lexon libra, kjo duket që nga mënyra sesi i ndêrton fjalitë, për të mos përmendur gabimet drejtshkrimore, por ç’është më ulëritësja; artisti shqiptar nuk ka ndjeshmëri sociale! Ai i sulet më të dobëtit dhe e shqyen, ndërkohë që i lëpin këpucët atij që shfrytëzon.
Para disa vitesh, Jiulia Roberts u paraqit në galanë e Festivalit të Kanës zbathur, pa këpucë. Kjo për të përkrahur dhe mbështetur një punonjëse të thjeshtë, e cila ato kohë ishte pushuar nga puna se nuk vishte taka. Para disa kohësh artistët amerikanë u bashkuan njëzëri kundêr marrëzive të Donald Trump-it. U përpoqën të ndërgjegjësonin opinionin publik për greminën ku ai po e çonte kombin amerikan. U realizua filmi “Don’t look up”, një film i fortë ndërgjegjësues për indiferencën e përgjithshme ndaj problemeve më të mëdha të shoqërisë. Ndërkohë, çfarë bëjnë aktorët shqiptarë? Futen në Big Brother! Sikur të mos u mjaftonin dozat e mizerabilitetit të tyre vetjak. Futen atje për t’i shtuar më shumë!
E mendoni dot këtë Gixharin të bëjë atë që bëri Jiulia Roberts në Kanë? Të përkrahë një grua çfarëdo në kauzën e saj? Kurrsesi jo. Ajo nuk merret me këto se është e “sërës së lartë”. Sepse është tepër e zënë duke u shitur e shtirur poshtë e lart si një vajzë që gjithë jetën gjasme e kanë përkëdhelur, kur, në të vërtetë, një vajzë që ka qenë vërtet e përkëdhelur kërkon ta fshehë këtë fakt dhe do të qëndrojë jashtë vëmendjes.
E imagjinoni dot t’i flasësh kësaj Gixharit për ndonjë simfoni, për ndonjë skulpturë të Rodin-it apo për ndonjë libër të Hannah Arendt-it apo të Alain Baudiou-së bie fjala. E imagjinoni dot.? Kësaj dhe atij tjetrit që rri me majmun në dorë. Se ndjeshmëria sociale krijohet shtresë shtresë edhe nga leximet… Po ta bëje, ata do të të shihnin sikur flisje përçart. Kaq i varfër, kaq mizerabël është formimi i tyre kulturor!
Masa ngado në botë është e keqedukuar, është detyra e artistit ta edukojë, t’ia lartësojë shijet qoftë edhe duke sakrifikuar veten e tij. Por në Shqipëri duket se ndodh e kundërta; këtu artisti ka zbritur edhe shumë më poshtë masës!
Në një botë të drejtë, duhej të ishin artistët, filozofët, shkrimtarët, sociologët, ata që duhej ta udhëhhiqnin popullin në protesta për kauza të ndryshme, por në Shqipëri nuk ndodh kjo, sepse këtu ata o shiten te qeveria dhe bëhen lakej të saj – o futen në Big Brother dhe gjejnë aty habitatin e tyre vulgar!
Ja përse këtyre të ashtuquajturve artistë nuk ua shoh kurrë shfaqjet teatrale që vënë në skenë, nuk ua shoh kurrë filmat që luajnë apo realizojnë, nuk ua lexoj kurrë librat… Sepse kam vënë re me kohë që në shtyllën e tyre të mjerë kurrizore nuk ka asnjë vertebër!