Në vitin 1967-të, kur represoni ndaj fesë dhe përndjekja ndaj klerit fetar kishte arritur kulmin, meshtari Pjetër Meshkalla i drejton një pamflet të mirëfilltë dissidence ish kryeministrit të kohës, Mehmet Shehu.
“Pardje, me 3IV1967, ora 19, pjesa ma e madhe e klerikëve katolikë që gjendet sot në Shkodër, kjemë thirrë në Sallën e Kandit të Kuq të Komitetit Ekzekutiv. Na u komunikue, ndër tjera, se do të denonconim gjithëshka kishim, me përjashtim të teshave personale të domosdoshme të veshjes dhe të fjetjes, pse të tjerat të gjitha ishin të popullit dhe popullit duhet t’i kthehen; dhe se nuk do t’ushtronim asnjë shërbim fetar, as edhe privatisht: Këtë e ka vendosë populli!
Mendova të drejtohem me kët letër Shkëlqesës s’Uej, për me i çfaqë mendimin tim, jo ndryshej, por si njeriu njeriut.
Sa për libra të mij, gjana kishtare etj. le të vinë e t’i marrin kur të duen: nuk asht e para herë që unë dal në rrugë të madhe.
Por, unë dëshroj të çfaqë disa mendime në përgjithësi: Dorëshkrimet janë pronë e shenjtë dhe e paprekshme e Autorit, në mos i dorzoftë ai vetë e në mos kjofshin kundra Sigurimit të Shtetit.Sa për pasuni të tjera, as bujarija e burrnija e popullit, as ligji natural ma elementar nuk e pranon që një gja që asht falun njëherë njaj personi o njaj enti të caktuem, të kërkohet rishtas prej dhuruesit si gja e
tija. Spekullimet e shpërdorimet goditën. Dhe, e vërteta asht se populli, pothuejse në çdo vend e ka përcjellë priftin e vet (të mirë o të dobtë) me vajë, si përfaqësuesin e fesë së vet.
Një hije e zezë ka ra mbi popull kur ka pa tue u mbyllë Kishat, tue u rrëzue kumbonarët e sidomos tue u lejue të viheshin në lojë personat dhe gjanat fetare, tue fye kështu thellë ndjenjat kaq të shenjta të besimit.
Po atë efekt kanë ba fushatat e çfrenueme diskredituese antifetare zhvillue me të gjitha mjetet e propagandës. Si përgjigje, populli ka mbushë Kishat deri në çastin e mbylljes së tyne. Çë vlerë ka atëherë qendrimi i një pakice të pandërgjegjëshme o të frikësueme me lloj lloj presionesh?
Sidomos pjesa e friksueme me kërcnime, presione, premtime e pushime nga puna, pëson torturën ma të madhen, sepse e lidhun nga kafshata e bukës, shtërngohet me mohue me gojë atë që besonÍ dhe kështu fushata që po bahet synon me formue një brezni pa kurajo civile, pa burrëni, opurtuniste, servile, tue prishë karakterin e Shqiptarit në dam t’Atdheut. Njerëzit kanë frikë m’u takue, m’u përshëndetë rrugës me miq që janë në sy o të “prekun”. E kush po di se cilët janë!
Vi tash tek unë. Unë vijën e tanë jetës sime nuk mund e ndryshoj, por do ta vazhdoj derisa të kem frymë. Pengesa e jashtme e forcës madhore do të bajë në mue vetëm at efekt që ban guri o dheu që pengon rrjedhën e ujit: Populli më njeh dhe e din mirë si kam shkri jetën për té.
Unë tham se, me këte luftë kundra fesë neve edhe po diskreditohemi faqe botës, së cilës i kemi dhanë premtime solemne për liritë dhe të drejtat njerëzore në Shqipni. Kur, në vjetin 1945, në
Tiranë, me 8 mars, unë, u takova me Juve, Shkëlqesë, se kishem ndigjue prej komunistëve fjalët:
“Këte Kishë do ta bajmë kinema”, Ju m’u përgjigjët: “Kjo asht propagandë armiqsore!”.
Me të vërtetë, as anmiku ma i tërbuem i Pushtetit s’ka muejt me u ba një propagandë ma anmiqsore në 22 vjetë, sa i keni ba vedit. Nuk më ka shty me Ju shkrue Shkëlqesë, as urrejtja, as ambicioni, as interesi, por vetëm ndërgjegja, e vërteta dhe e mira.
Krytarit të Këshillit të Ministrave – Mehmet Shehu – në Kryeministri –
Tiranë 5 Prill, 1967.
Me nderime Pjetër Meshkalla
Meshtar katolik i Shoqënisë Jezu.”