Nga Arbër Zaimi
Miqtë gjermanë po na thonë se për zgjidhjen e çështjes së minoritetit serb në Kosovë, mund të marrim si model psh. çështjen e minoritetit danez në Gjermani, që banojnë në Shlesvigun Jugor.
Sipas miqve gjermanë, asociacioni i danezëve të Shlesvigut të Jugut ka sjellë përfitime dhe integrim.
Lexova pak për atë formulë dhe sinqerisht më pëlqeu.
Unë personalisht do të isha i kënaqur që një formulë e ngjashme me marrëveshjen Kopenhagen – Bon të 1955 të zbatohej në Kosovë.
Por miqtë gjermanë me këtë rast duhet ta kuptojnë se kjo do të thotë ngushtim, dhe jo zgjerim i të drejtave të minoritetit serb në Kosovë. Sepse danezët në Shlesvigun Jugor vërtet gëzojnë të drejta të barabarta qytetare me gjermanët, si dhe të drejta për të pasur disa shkolla, çerdhe, qendra kulturore dhe kisha (gjëra të cilat i gëzon edhe minoriteti serb në Kosovë, madje edhe më të zgjeruara).
Por danezët e Gjermanisë nuk e shohin as në ëndërr të drejtën për të pasur 10 vende të rezervuara në Bundestag, madje as në parlamentin e landit Shlesvig-Holstajn nuk kanë vende të rezervuara. I vetmi favor politik që ata kanë fituar, është heqja e pragut prej 5% për danezët, ama vetëm në zgjedhjet e landit e jo në zgjedhjet qendrore. Ndërsa serbët në Kosovë gëzojnë pakrahasimisht më shumë të drejta, kanë përfaqësim të detyruar në çdo nivel ekzekutiv, legjislativ, gjyqësor, qendror e lokal, madje deri edhe të drejtën e vetos për ligje të caktuara dhe ndryshime kushtetuese.
Pra miqtë gjermanë ta kenë të qartë, danezët në Gjermani gëzojnë shumë më pak të drejta se serbët në Kosovë, dhe kur na propozojnë të marrim modelin e Shkesvigut Jugor në fakt janë duke na propozuar ngushtim, e jo zgjerim të të drejtave. Se nuk besoj që dëshirojnë të na propozojnë modelin e Shlesvigut Verior, apo jo?