Nga Daut Dauti

Me rastin e mbledhjes së sotme të Kuvendit të Kosovës që mbahet për të shënuar 25 Vjetorin e Epopesë së UÇK-së, një gazetar ua bënte një pyetje të thjeshtë deputetëve. Më parë ai i numëroi 22 anëtarët e Familjes Jashari të rënë në luftë, emrat e të cilëve ishin vënë në një pllakat në qendër të qytetit. Pastaj, ua bënte pyetjen e thjeshtë deputetëve: 

’Sa anëtarë të Familjes Jashari janë vrarë?’

Asnjë prej tyre nuk e dinte numrin. Disa, të zënë ngushtë, nuk kishin fuqi ta pranonin turpin dhe kundërpërgjigjeshin: ’Nuk ka kuptim me ba kësi pyetje se krejt e dijnë’. 

Në fakt, asnjë prej tyre nuk e dinte. Ky është vërtetë një turp i madh pasi që të gjithë ata thirren në emrin e Familjes Jashari dhe disa edhe janë ngritë dhe qëndrojnë në politikë për shkak të këtij emri. Është problem serioz kur nuk e di numrin e gurëve të themelit të shtetit nga i cili merr rrogë.

Kjo është sikur kur e pyet fizikantin për Teorine e Relativitetit, gjeometristin për Teoremën e Pitagorës, kimistin për formulën e ujit dhe simpitaziuesin e flaktë të një ekipi të futbollit për emrat e kapitenit dhe lojtarëve, e ata nuk e dinë dhe të përgjigjen me ‘qesi pytje po bon a?’ Por, turpi iu shihet në fytyrë. 

Gjërat e thjeshta janë më të vështirat, kur nuk i di njeriu. Këto thjeshtësi sjellin turp se janë gjëra kryesore. Ky është një problem i madh i shoqërisë tonë për shkak se deputetët janë pasqyrë e jona. Ata sot në këtë mbledhje kanë shkuar sa për sy e faqe. Te ne vazhdon gjithçka të jetë sipërfaqësore. Na mungon thellësia. Në fakt, ne nuk jemi as të cektë. Jemi vetëm sipërfaqësorë. Jemi sa për sy e faqe dhe nuk e tejkalojmë kufirin dhe porosinë e reklamës që na ka zaptuar.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *