Nga Sebastian Zonja
Përkthyes modulesh ndërkombëtare kemi me mijëra, por ata s’na tregojnë dot se cilat vlera duhet të ruajmë dhe mbrujmë për t’i çuar në Evropë kryelartë.
Gruaja dhe burri janë të ndërvarur nga njëri – tjetri, nuk janë të pavarur. Emancipimi është proces, nuk është revoltë, akt apo protestë. Dinjiteti i gruas nuk lartësohet duke mëtuar të revoltohesh ndaj burrit, por duke ndërvepruar si të barabartë.
Emancipimi që kërkohet të arrihet me projekte OJQ-sh e OJF-sh është një hibrid i shëmtuar që prish strukturën familjare që kemi ngritur ndër shekuj në Shqipëri. Mesdheu, në shumicën e vet, është një pellg i orientuar drejt familjes, ndryshe nga shumë vende nordike apo anglo-saksone që janë të orientuar drejt individit. Edhe mes vendeve evropiane ka ndryshime të rëndësishme në strukturën shoqërore.
Harresa e vlerave që kemi mbrujtur ndër shekuj, ku, që në Kanun të Lekës, të Skënderbeut, të Labërisë, të Sulit apo Çamërisë, gruaja ecte mbrapa burrit jo si më e dobët se ai, por se burri sakrifikonte veten për të mbajtur gjallë trungun e shtëpisë, gruan. Sot, me ligjërimet bajate të papagallëve të shoqatave, që janë pa kurrfarë tabani identitar, harrojnë se shqiptarët kanë simbolin e nënës Zahide Jashari dhe Musine Kokalarit.
Nëna Zahide është truall identitar, duke treguar se gruaja shqiptare, ndër shekuj, ka qenë shtylla e shtëpisë dhe shqiptarisë.
“Oj nan Zahide, nana jonë
nan si ty nuk pash askund
krejt Kosova nan të thot
Hamzën e Ademin i përkund.”
Ndërkohë, Musine Kokalari, me veprimtarinë e saj intelektualo – politike dhe qëndresën ndaj komunizmit gjakatar na bind se të jesh e fortë nuk do të thotë as të jesh burrë, as të jesh si burrë.