Nga Sebastian Zonja

Zgjedhjet në Turqi po ndiqen me vëmendje nga shqiptarët. Jo aq për rëndësinë e tyre, sa për tifozllëkun tonë. Më vjen shumë keq kur lexoj komente që flasin për vllazërinë shqiptaro – turke. Vëllezër ne jemi vetëm mes shqiptarësh, ndaj, remineshencat e komunizmit që na vllazëroi me këdo, do ndihen gjatë. U vllazëruam me jugosllavët, me kinezët, me amerikanët, me turqit… vetëm mes veti jo.

Ndërkohë, logjika është me u vllazëru mes veti së pari e me gjet sa më shumë miq që të jetë e mundur më pas. Miq të mirë e të shtrenjtë që të duhen për një ditë halli.  

Nejse, këta të bashkim-vllazërimeve, si në Tiranë, si në Prishtinë, janë pakicë. Dallkaukë i themi ne këtej, s’e di si i quajnë në Prishtinë e Shkup. Madje, të vjen me qesh, me disa që pretendojnë se janë edhe nacionalistë. Për shembull, le të marrim një rast hipotetik – nëse ti je vëlla e motër me turkun se je mysliman, pse nuk është edhe ai tjetri me grekun ngaqë është ortodoks? Njërit i lejohet, tjetrit jo. Hajde mendje, hajde! Përçarja mbi bazë fetare është e keqe. Po aq e keqe sa ajo krahinore. Jemi shqiptarë myslimanë, shqiptarë ortodoksë dhe shqiptarë katolikë. Ata që mendojnë ndryshe, në shumicën e rasteve, janë çështje lekësh dhe interesash. 

Nga kryeministrat shqiptarë, personi që i ka përmirësuar më shumë marrëdhëniet me Turqinë, që ka përfituar më shumë prej saj, por edhe që i ka dëmtuar më shumë, është Edi Rama. 

Edi Rama është kryeministri shqiptar që përdori gjithë fuqinë ekonomike të Turqisë për të hequr peshën e rëndë të “kolonizimit” grek në ekonominë shqiptare. Në fillimvitet ’90 e deri në vitin 2010, fqinjët zotëronin shumicën e tregut bankar dhe të telekomunikacionit. Përfitimi monetar për ta ishte i madh, taksa paguheshin pak dhe kjo influencë përdorej për keq në politikë, për të avancuar çështje varrezash dhe të të ashtuquajturit vorioepir. Me ardhjen e Edi Ramës në pushtet pati një ndryshim kursi. Ndihmoi edhe kriza greke për të hequr këtë influencë të keqe politiko-ekonomike. Ndërkohë, duhen marrë masa, sepse investimet e huaja kur nuk ke prodhim vendas, pas disa kohësh japin të njëjtin problem – kolonizim – turke, greke apo evropiane qofshin. 

E keqja qëndron në përqëndrimin e tyre mes liderëve, jo mes shteteve. Personalizimi i marrëdhënieve diplomatike, më shumë për shkak tonin, se të Stambollit, ka sjellë hyjnizimin e Ramës apo të Erdoanit. 

Me personalizimin e marrëdhënieve diplomatike, pjesëmarrjen e Shqipërisë në punët e brendshme të mikut për çështje përplasjesh me fuqi të tjera, shfazimin e takimeve bilaterale me Turqinë dhe Greqinë, pasojat janë të rënda. 

Shqiptarë banojnë edhe në Greqi. Me qindra mijëra. Shfazimi i marrëdhënieve diplomatike kërcënon edhe ata që jetojnë në Greqi. Në diplomaci mund të takosh 8 herë Erdoanin dhe 4 herë homologun tënd grek dhe kjo tregon se nga anon më shumë miqësie. Por jo 13 herë Erdoanin dhe 1 herë homologun grek. Kjo nuk është diplomaci, është vasalitet. Se cilin votojnë qyetarët turq, kjo është punë për ta. Ashtu siç është punë për ne se kë votojmë, jo për turqit. Ata e dinë më së miri se kush duhet të jetë në krye për të rregulluar punët e qytetarëve që banojnë atje. 

Për më tepër, në vend se në Shqipëri të ketë qytetarë që i shohin me ftohtësi ngjarjet politike në vendin mik, kemi në masë vetëm erdoganistë. Janë njëjtë si enveristët. Po iku Erdoani, merr fund Turqia, bie Shqipëria, bie Rama, ikën myslimanizmi… e çfarë nuk këpusin. 

Ata që janë demokratë e lidhin rënien e Erdoanit me rënien e Ramës. Dikur e lidhën ardhjen e Trampit me rënien e Ramës. Disa që janë me Ramën, duan që të fitojë miku i Ramës, ndërkohë që ne e dimë se në politikë s’ka dashuri, ka interes. Siç kemi ne aleat Turqinë, Greqia ka Iranin. Disa që janë myslimanë duan Erdoanin dhe ata që nuk janë me të i akuzojnë për gylenistë. Prap, punët e brendshme atje i morëm dhe i sollëm këtu dhe zihemi me njëri – tjetrin. 

Ata që e duan Turqinë për punë feje, urrehen nga këta që shpallën Shqipërinë shtet ateist në komunizëm. Ata që e urrejnë për punë feje Turqinë, kanë mbetur në mesjetën evropiane ende… 

Pra, një mori e madhe karakteresh dhe debatesh shterpë për zgjedhjet në një vend tjetër, që, për më tepër, është vend mik, aleat strategjik dhe nuk ka pse ne të mërzitemi se kë zgjedhin ata në krye të tyre. 

Ashtu si ne nuk duam që të ndërhyjnë të tjerë në zgjedhjet tona, edhe ne s’kemi pse ndërhyjmë në zgjedhjet e tyre. 

Në Ballkan, Turqia ka rol të rëndësishëm. Duke parë se interesi i saj kryesor është në Azinë qëndrore, ku janë republikat turkmene, sërish, miqësia me Turqinë është e rëndësishme për ne. Nëse do të ndërtonim një trekëndësh marrëdhëniesh, do të vendosnim si aleat strategjik në rajon Turqinë, në kontinentin tonë evropian Gjermaninë dhe, padyshim, aleatin e madh dhe të shtrenjtë – Amerikën. 

Turqia ishte nga vendet e para që njohu pavarësinë e Kosovës. Së fundmi ka dërguar atje edhe drone Bajraktar. Turqia mbetet mbështetëse e madhe e sovranitetit të Kosovës. Në kundërpeshë të një miqësie të madhe franko – serbe, miqësia turko – shqiptare mund të shërbejë shumë, duke parë përballjen për çelësat e Mesdheut mes këtyre dy fuqive të mesme ndërkombëtare. Prandaj, detyra e Kosovës është të vijë në det, në Mesdhe, jo të zhytet në kontinent. 

Ndërsa skena ballkanike sot është futur në një cikël të ri, ku ngjan se po ndryshon narrativa dhe, fatkeqësisht, po barazohet viktima dhe dhunuesin, koha është për të shtuar miqtë. 

Fuqitë e mëdha kanë nisur garën e tyre në Ballkan, një vend i përvuajtur nga varfëria, mungesa e demokracisë, luftërat dhe ndarja etniko- fetare. 

Ne shqiptarët jemi të ndarë nëpër shtete si kopacatë vegjël. Ndaj, së pari, na duhet vllazërim mes vetes, e më pas sa më shumë miq të mirë e të fortë, që të mos na përdorin për kusuritje të mëdhenjtë kur të ulen nëpër tavolinat e tyre.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *