Mundësitë tona për të kapur hapin e botës së zhvilluar në avancimet teknologjike, të bioshkencave, të megashkencës, të shkencës mbi materialet, të informatikës etj., janë të vogla por kjo nuk do të thotë se duhet hequr dorë nga përpjekjet maksimale për tejkalimin e pazhvillueshmërisë në të cilën ndodhemi dhe për krijimin e infrastrukturës së nevojshme që do t’a mundësonte akceptimin dhe aplikimin e inovacioneve nga fushat e përmendura të shkencës, pa të cilat nuk mund të paramendohet jeta në shekullin e XXI. Andaj, lufta politike për realizimin e kërkesave legjitime është e motivuar nga nevojat reale të popullsisë shqiptare për zhvillim. Ajo nuk është e orientuar në mohimin e nevojave të ngjashme të serbëve. Përkundrazi. Duke u ndodhur në nivele të ngjashme të madhësisë demografike, të shkallës së zhvillimit, të orientimit civilizues, të pozitës historike dhe gjeografike, për kah përmbajtja e brendshme thërret për përfundimin definitiv të raporteve të subordinacionit dhe të dominacionit, kërkon heqjen dorë nga instrumentalizimi i vetes në funksion të interesave të huaja, implikon vënie të raporteve kualitativisht të reja, evitim të ndikimeve negative të huaja dhe është shpërthim i energjisë së re kreative, jo vetëm për shqiptarët, por për të gjitha palët e ngatërruara në krijimin e pengesave për fitorën e së resë. Republika e Kosovës, me fjalë të tjera, pavarësisht nga ajo se kush mund jetë në nivelin institucional bartës i një politike gjithëshqiptare, në rrethanat e dhëna është realizim i njërit prej interesave vitale të kombit. Si e tillë, mund të qëndrojë vetëm në funksion të bashkimit por edhe të forcimit të raporteve të reja në gjithë territorin e Ballkanit, të Mesdheut dhe të Evropës. Këtë rol mund t’a luajë me sukses në kontekst të proceseve integrative të Evropës, që do të kenë konsiderata për të gjithë pjesëmarrësit dhe për gjithë drejtimin historik të zhvillimit të proceseve pozitive.
Krushë e Madhe, 22 maj, 1991
(Marrë nga libri “Filozofia politike e çështjes shqiptare”, Tiranë, 1995; kjo pjesë është Epilog i kapitullit IV – “Shteti dhe interesat vitale të kombit”.)
Publikoi: Agim Morina