“Qarqet politike serbe gjithmonë patën tendencë që në kuadër të planeve ekspansioniste, të pasqyruara në “Naçertanien” e Garashaninit, për të injoruar intelegjencien shqiptare dhe për të komunikuar vetëm me “çobanët shqiptarë”. Shqiptarët e pashkolluar atyre u dukeshin të dëgjueshëm dhe të urtë, kështu që të përshtatshëm për komunikim. Pra, dëshironin të komunikonin e të komunikojnë me ata shqiptarë që nuk kanë as vetëdije nacionale e as vetëdije politike ose edhe me ata me të cilët, edhe po e patën një vetëdije të tillë, janë të gatshëm që atë ta kontrabandojnë për interesa individuale dhe egoiste. Tendencat e tilla nuk janë kurrfarë risie e çfarëdo politike serbe dhe njerëz të tillë shqiptarë, të gatshëm për kontrabandime të tilla, do të ketë gjitmmonë, madje në çdo popull. Prandaj, kjo dukuri nuk është ndonjë veçori e veçantë shqiptare. Mirëpo, duket të jetë e re për politikën serbe tendenca për reduktimin e aftësive intelektuale të pjesëtarëve të intelegjencies shqiptare, ose të vetëm ndonjërit syresh por kjo mund të jetë produkt mbase i kohës transitive, i momentit aktual të gjendjes së raporteve shqiptaro-serbe apo edhe nusprodukt i pallogaritur i fërkimit të forcave të status-quos me ato të transicionit.

Është e kuptueshme që forcat e status-quos brenda Serbisë dëshirojnë të komunikojnë vetëm me “çobanët shqiptarë”, pavarësisht nga fakti se çfarë epoletash akademike mund të mbajnë. Ndërkaq për ato forca shqiptare të cilat me vetëdije ose pa të i ndihmojnë tendencat e tilla serbe, edhe nuk mund të flitet. Çdo koment do të ishte i tepërt dhe dukuria nuk mund të shpjegohet as me egoizmin individual, as me shpirtin e tyre meskin dhe as me mendjen e errësuar të tyre. Veprimi i forcave të tilla shqiptare për çdo njeri me rezonim normal është i pakapshëm.

Ukshin HOTI – Letra Myrvetes nga burgu i Nishit 

(6 korrik 1997)

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *