Nga Daut Dauti
Një ditë lexova diku se viteve të fundit në vendet tropikale të Afrikës kanë filluar të mbjellin molla dhe se ka patur sukes ky eksperimet me kete pemë. Kjo ma kujtoi Ibrahimin, një afrikan të cilin e pata takuar në një fshat afër Guildfordit (Angli) në dimrin e vitit 1989 ku kishte ardhur për disa ditë në një konferencë. Ibrahimi ka qenë i moshës sime. I gjatë sa unë, por pak më i hollë. Buzëqeshja i rrinte prore në fytyrë. Pjesën e dorës së majtë, nën bërryl, nuk e kishte. Nuk e kam pyetur pse. Nuk më kujtohet saktësisht nga cili shtet ka qenë Ibrahimi, por e di se ishte nga ato vendet tropikale. Ka qenë mësues në fshatin e tij. Njeri inteligjent dhe tejet i sinqertë, si shumica e afrikanëve.
Kur u zgjova një ditë në mëngjes, e pashë nga dritarja se si e prekte borën e cila kishte filluar të shtresohej e ta mbulonte barin. Po e shihte borën për herë të parë. Përkulej në tokë dhe mblidhte borë me dorën e djathtë. Prandaj, e shikonte borën me sy studjuesi dhe mahnitej.
Një ditë me një mik timin, që kishte veturë, e morëm në Londër. Kishte dëshirë ta shihte këtë qytet të pafund. Si sot më kujtohet se si i vështronte ndërtesat, rrugët, komunikacionin … Kur i ramë përskaj një pazari ku shiteshin pemët dhe perimet, ai u ndalë para një standi dhe më pyeti me zë të ulët: ’A janë molla këto?’
‘Po’ – i thashë dhe m’u kujtua se në vendin e tij nuk kultivohet kjo pemë dhe se ai po e shihte për herë të parë. I bleva dy molla, një për Ibrahimin e një për vete. Që të dyja të kuqe të llojit ‘delicious’ që rriten edhe në Kosovë, por që ne u themi ‘delishec’.
E shikoja se si e kafshonte mollën me një kënaqësi të pashpjegueshme. Më dukej se ia shihja edhe lëngun e mollës kur e çonte poshtë fytit. E shijonte në tërësi. Ndoshta kështu kam vepruar edhe unë kur për herë të parë kam ngrënë banane, sidomos mango. Për Ibrahimin molla ishte me e veçantë se kush e di se sa lloje tjera të pemëve tropikale që ai i hanë çdo ditë.
‘Çka ke dëshirë të kesh në jetë’ – e pata pyetur një herë.
‘Kam deshirë ta kem një traktor. Unë dhe tërë fshati do ta kishim shumë më të lehtë punën dhe do të jetonim shumë më mirë’ – u pat përgjigjur.
Kurrë më nuk e kam parë e as nuk kam dëgjuar për Ibrahimin. Por, tërë kohën kam dëshiruar ta kishte një traktor. Sinqeriteti i tij i pafund dhe dëshira modeste për jetë, nuk më janë larguar kurrë nga mendja.