Aktivisti Andi Tepelena deklaroi nga ambientet e SPAK, ku protestuesit dorëzuan librin “Albanian Files” si provë për hetimin e kryeministrit Edi Rama, se rezistenca qytetare do të vazhdojë deri në dorëheqjen e tij.
Sipas Tepelenës, protestuesit po dokumentojnë çdo ditë atë që ai e cilësoi si lidhje të qeverisë me oligarkinë dhe bandat.
“Çdo ditë po ndërmarrim akte të forta politike që delegjitimojnë qeverinë e Ramës. Po tregojmë se kjo qeveri është e kapur nga oligarkia, nga bandat dhe se vepron në kundërshtim me ligjin dhe Kushtetutën. Nuk ka afat për këtë rezistencë; ajo do të vazhdojë deri në dorëheqjen e panegociueshme të Edi Ramës”, u shpreh ai.
I pyetur për deklaratat e kryeministrit ndaj tij, Tepelena tha se Rama po përdor metoda që, sipas tij, i ngjajnë praktikave të ish-Sigurimit të Shtetit.
“Unë jam vetëm një nga mijëra qytetarët që dalin në protestë. Këto janë metoda të Sigurimit të Shtetit, ku sulmohen individë për të delegjitimuar protestën. Çdo përpjekje për të denigruar njerëz të veçantë vetëm sa mobilizon më shumë qytetarë. Në fund të fundit, ai po fyen vetë qytetarët që protestojnë”, deklaroi Tepelena.
