Aktivisti Andi Tepelena ka reaguar ndaj deklaratave të bëra nga Olsi Jazexhiu, duke i cilësuar ato si “gënjeshtra groteske” që, sipas tij, janë shpërndarë nga disa portale pa u verifikuar.
Në një postim publik, Tepelena shprehet se nuk ka ndërmend të merret me Jazexhiun, pasi fokusi i tij kryesor mbetet, sipas tij, “rrëzimi i Edi Ramës”. Megjithatë, ai thotë se është i detyruar të sqarojë publikisht disa pretendime që i konsideron të pavërteta.
Tepelena mohon çdo lidhje politike me lëvizjen “Mjaft”, duke theksuar se është larguar nga Shqipëria më 2 korrik 1990 gjatë ngjarjeve të ambasadave dhe është rikthyer zyrtarisht në vend vetëm në vitin 2010.
“Jam me profesion menaxher arti dhe ekspert në fushën e trashëgimisë kulturore dhe nuk më ka lidhur asgjë, në kuptimin politik, me lëvizjen Mjaft”, shkruan ai.
Në reagimin e tij, Tepelena mohon gjithashtu pretendimin se është vëllai i ambasadorit shqiptar në Çeki, Ilir Tepelena.
“Ambasadori i nderuar në Çeki, Ilir Tepelena, nuk është im vëlla. Kemi të njëjtin mbiemër, por im vëlla jeton dhe punon në Itali dhe ushtron profesionin e teknikut mekanik”, sqaron ai.
Në fund të reagimit, Tepelena ironizon pretendimet e Jazexhiut, duke deklaruar se nuk e di “çfarë lloj ChatGPT përdor Olsi Jazexhiu”, ndërsa e mbyll postimin me thirrjen politike: “Rama jep dorëheqje”.

