Pedagogu dhe diplomati Fatos Tarifa ka publikuar një letër të hapur drejtuar socialistëve shqiptarë, anëtarëve të Partisë Socialiste, deputetëve dhe mbështetësve të saj, duke u bërë thirrje të ndahen nga kryeministri Edi Rama para se të jetë vonë.

Tarifa argumenton se protestat masive të ditëve të fundit nuk janë fryt i ndonjë lufte hibride, siç pretendon kryeministri, por pasojë e drejtpërdrejtë e korrupsionit sistemik, arbitraritetit në vendimmarrje dhe keqqeverisjes së akumuluar gjatë 13 viteve të qeverisjes së Ramës.

Sipas tij, populli nuk refuzon Partinë Socialiste, por kryetarin e saj, i cili ka qeverisur me arrogancë dhe e ka trajtuar pushtetin si pronë personale. Tarifa thekson se tetëqind mijë votat e dhëna për PS-në i përkasin partisë, jo Ramës, dhe se shqiptarët do t’ia jepnin ato edhe nën udhëheqjen e një socialisti tjetër të ndershëm dhe të mençur.

Intelektuali paralajmëron se Partia Socialiste rrezikon të humbasë elektoratin e saj, veçanërisht të rinjtë, nëse vazhdon të identifikohet plotësisht me kryeministrin. Ai i krahason zhvillimet aktuale me “berishizimin” e PD-së, duke u bërë thirrje socialistëve të marrin fatin e partisë në duart e tyre.

“Ka ardhur koha ta zbritni nga ai kalë. I keni të gjitha mundësitë, nëse mposhtni frikën dhe thyeni kultin e individit”, shkruan Tarifa, duke e mbyllur letrën me një apel për brezin e ri dhe të ardhmen e demokracisë në Shqipëri.

Burimi: Gazeta Dita

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *