Arkeologët polakë, në bashkëpunim me kolegë shqiptarë, kanë zbuluar në zonën e Bushatit pranë Shkodrës mbetjet e një tempulli rreth 2,000-vjeçar, që i përket një vendbanimi të lashtë ilir.
Gjetjet u bënë gjatë kërkimeve në një sit arkeologjik të identifikuar fillimisht në vitin 2018, i cili mendohet se mund të lidhet me qytetin antik Bassania, edhe pse kjo ende nuk është konfirmuar plotësisht.
Në qendër të zbulimit ndodhet një strukturë prej guri me formë drejtkëndore, e vendosur në majë të kodrës së akropolit. Sipas studiuesve, ndërtesa me përmasa rreth 13.6 me 9.6 metra ka shërbyer si tempull midis shekullit IV dhe II para erës sonë.
Pozicioni i saj dominues mbi qytet dhe orientimi sipas drejtimeve gjeografike tregon se bëhet fjalë për një objekt kulti që kurorëzonte qendrën e dikurshme ilire. Po ashtu, janë zbuluar edhe gjurmë të një muri rrethues që mund të ketë shërbyer si hapësirë e shenjtë.
Gërmimet në zonë kanë nxjerrë në dritë edhe mure fortifikimi, porta me bastione dhe mbetje të ndryshme ndërtimore që dëshmojnë për një qytet të zhvilluar dhe të organizuar mirë.
Pas braktisjes së tij, vendbanimi u degradua me kalimin e kohës dhe më vonë u përdor si gurore, çka ka dëmtuar pjesërisht strukturat origjinale.
Sipas arkeologëve, ky zbulim përbën një dëshmi të rëndësishme për kulturën ilire dhe historinë e qytetërimeve të lashta në veri të Shqipërisë.
