Policia e Tiranës ka shpallur në kërkim dy vëllezër të dyshuar për plagosjen e efektivit Anxhelo Kumaraku, në një ngjarje që zbuloi një zinxhir konfliktesh dhe hakmarrjesh mes fqinjëve.
Dy të dyshuarit kishin një mosmarrëveshje për borxh me fqinjin e policit. Pak muaj më parë, ky i fundit i kishte dhunuar dy vëllezërit, të cilët dyshohet se kanë vendosur ta marrin hakun me armë.
Mbrëmjen e së dielës ata kanë pritur shënjestën e tyre, por plumbat kanë kapur policin Kumaraku, i cili ndodhej rastësisht pranë fqinjit të tij në një rrugicë afër shtëpisë. Efektivi ka rrëfyer para hetuesve se i njihte fqinjin që në fëmijëri dhe nuk dinte se ai kishte thyer masën e sigurisë “arrest në shtëpi”.
Dy vëllezërit ndodhen ende në arrati, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes janë në vazhdim.
