Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët në rrjetet sociale, komentoi sloganet kundër tij dhe opozitës që janë dëgjuar në protestat e fundit në Tiranë.

Berisha deklaroi se qytetarët kanë të drejtë të protestojnë dhe të shprehen lirshëm, por akuzoi si “manipulues” ata që, sipas tij, përpiqen të nxisin thirrje kundër opozitës. Ai u bëri thirrje mbështetësve të mos ndikohen nga këto slogane dhe të qëndrojnë të fokusuar te qëllimi i protestës.

Sipas kreut të PD-së, protesta është një lëvizje qytetare që shkon përtej partive politike dhe përfaqëson interesat e qindra mijëra qytetarëve.

“Çdo demokrat dhe demokrate vendin e ka në atë protestë. Nëse themi që është protesta më qytetare, është protestë jashtë partive politike. Janë qindra-mijëra qytetarë që ngrihen për të drejtën e tyre. Sa i përket sloganeve kundër nesh, qytetarët janë të lirë të thonë sloganin që duan. Por ata që përpiqen t’i manipulojnë, janë më mjeranët. 

Injorojini dhe mos tentoni me asgjë, të mos keni asnjë impresion nga ato slogane. Nuk duhet që gjethet të na pengojnë për të parë trungun. Është lëvizja më qytetare që kemi pasur që nga vitet ’90 deri më sot”, u shpreh Berisha.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *