Prokuroria e Posaçme ka zbardhur një pjesë të komunikimeve të përfshira në dosjen e gjerë hetimore ndaj grupit të dyshuar për trafik droge, grup të strukturuar kriminal dhe pastrim parash, ku mes personave nën hetim rezulton edhe biznesmeni Artur Shehu.

Sipas materialeve hetimore, komunikimet e realizuara në platformën SkyECC tregojnë interesimin e personave nën hetim për zhvillimin dhe investimin e pronave në zonën e Zvërnecit. Në biseda përmenden takime me shtetas të huaj, diskutime për çmimet e tokave dhe planet për projekte investimi në këtë zonë bregdetare.

Në një nga komunikimet, Adrian Rama i referohet udhëzimeve të marra nga Artur Shehu për të shoqëruar disa persona që do të vizitonin pronat në Zvërnec, ndërsa në biseda të tjera diskutohen çmimet e tokave dhe mundësitë e bashkëpunimit me investitorë të huaj.

SPAK vlerëson se këto komunikime, të kombinuara me prova të tjera të mbledhura gjatë hetimit, krijojnë dyshime se disa prej pasurive në fjalë mund të jenë përdorur ose zhvilluar në funksion të pastrimit të produkteve të veprës penale.

Hetimet kanë nxjerrë gjithashtu në pah interesimin e grupit për prona të konsiderueshme në Zvërnec dhe Akërni, ndërsa në dosje përfshihen edhe të dhëna mbi procedurat gjyqësore dhe administrative që lidhen me përfitimin dhe regjistrimin e këtyre pasurive.

Operacioni i SPAK-ut çoi në ekzekutimin e 20 masave të sigurisë, ndërsa hetimet vijojnë për të dokumentuar rolin dhe përgjegjësitë e secilit prej personave të përfshirë në këtë çështje.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *