Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka kërkuar një reagim më të fortë dhe më aktiv nga Shqipëria pas deklaratave të ministres serbe Snezhana Paunoviç, duke i cilësuar ato jo vetëm si deklarata, por edhe si kërcënime ndaj shqiptarëve.
Në një intervistë për emisionin “Now me Erla Mëhillin” në Euronews Albania, Sveçla tha se Shqipëria, si shteti amë i shqiptarëve, ka detyrim kushtetues të mbrojë interesat e tyre dhe duhet të mbajë një qëndrim më të qartë përballë retorikës së Beogradit.
Ai theksoi se pret një reagim faktik dhe aktiv nga autoritetet shqiptare, duke argumentuar se deklaratat e ministres serbe mbështeten në të kaluarën e dhimbshme të shqiptarëve dhe në politikat që Serbia ka ndjekur ndër vite.
Sipas Sveçlës, duhet të demaskohet sjellja, sipas tij, dyfytyrëshe e Beogradit, pasi problemi i Serbisë nuk kufizohet vetëm me Kosovën, por lidhet me shqiptarët në tërësi.
Ministri kujtoi gjithashtu se Snezhana Paunoviç ka qenë pjesë e Grupit të Miqësisë Serbi–Shqipëri, duke shtuar se në atë grup kanë marrë pjesë edhe figura që ai i cilësoi si shovinistë serbë.
