Ish-drejtuesi i Policisë në Qarkun e Shkodrës, Mithat Havari, ka denoncuar atë që e cilëson si presion ndaj punonjësve të administratës publike për të mos marrë pjesë ose për të mos mbështetur protestën e paralajmëruar nga opozita.

Përmes një reagimi publik, Havari shprehet se ka marrë një informacion të besueshëm sipas të cilit persona të caktuar, të cilët ai i quan njerëz të “mbretit lakuriq në detyrë”, kanë nisur të ushtrojnë presione ndaj administratës përmes patronazhistëve dhe personave të afërt me ta.

Sipas tij, qëllimi i këtyre veprimeve është pengimi i pjesëmarrjes së qytetarëve në protestën europiane, e cila, sipas Havarit, ka shqetësuar seriozisht qeverinë.

“Kjo është kambanë alarmi. Kush ka raste t’i denoncojë sa nuk është vonë”, shkruan Havari në mesazhin e tij.

Ish-drejtuesi i Policisë u ka bërë thirrje qytetarëve dhe punonjësve të administratës që të raportojnë çdo rast presioni apo intimidimi që mund të ushtrohet ndaj tyre lidhur me pjesëmarrjen në aktivitetet politike dhe qytetare.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *