Situata e Edon Zhegrovës te Juventusi vazhdon të mbetet e paqartë, pasi sulmuesi anësor ka qëndruar jashtë formacionit në disa ndeshje radhazi.
Gazetari i afërt me klubin bardhezi, Romeo Agresti, ka sqaruar se arsyeja lidhet kryesisht me zgjedhjet teknike të trajnerit Luciano Spalletti.
Sipas tij, trajneri italian po u jep përparësi lojtarëve që kontribuojnë më shumë në aspektin taktik dhe në fazën mbrojtëse, siç është Francisco Conceição.
“Zhegrova mbetet në stol për arsye teknike. Spalletti kërkon nga anësorët më shumë disiplinë taktike dhe angazhim në mbrojtje”, ka deklaruar Agresti.
Ai shtoi se reprezentuesi i Kosovës nuk është aktivizuar në pesë ndeshjet e fundit dhe zakonisht futet në lojë vetëm kur Juventusi është në disavantazh, për të sjellë kreativitet në sulm.
Sipas gazetarit italian, e ardhmja e Zhegrovës te Juventusi mbetet e hapur dhe klubi mund të marrë në konsideratë çdo opsion në afatin e ardhshëm kalimtar.
