E mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, Vasfije Krasniqi-Goodman, ka bërë homazhe pranë memorialit “Heroinat”, duke theksuar se Serbia duhet të mbajë përgjegjësi për krimet e kryera gjatë luftës.
Ajo u emocionua para mediave, teksa kujtoi se në moshën 16-vjeçare kishte rënë në duart e armikut.
“Para 27 vitesh, kur isha vetëm 16 vjeç, rashë në duart e armikut. Sot jam këtu për të folur për drejtësinë. Sot kam gjithë popullin shqiptar pas vetes, ndërsa për shumë vite kisha vetëm familjen. Dua të falënderoj institucionet, organizatat, shoqërinë dhe familjen për përkrahjen dhe mbështetjen”, u shpreh ajo.
Krasniqi-Goodman u bëri thirrje viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës që të flasin publikisht dhe të kërkojnë drejtësi.
“Kjo është diçka që nuk i falet Serbisë për krimet që ka bërë në Kosovë. Kur unë kam ditur të kërkoj drejtësi kur isha vetëm 17 vjeç, pse të mos e kërkojmë të gjithë drejtësinë edhe sot?”, tha ajo.
Në këtë aktivitet foli edhe i mbijetuari i dhunës seksuale gjatë luftës, Ramadan Nishori, i cili u bëri thirrje të mbijetuarve që të mos heshtin dhe të kërkojnë ndihmë pranë organizatave përkatëse.
“Sot bëhet një vit që kur kam dalë publikisht. Nga ky vend u bëj thirrje të gjithë të mbijetuarve që të drejtohen te organizatat dhe të kërkojnë ndihmë. Do të bëjmë edhe padi kundër shtetit serb”, tha ai.
Ndërkohë, drejtoresha ekzekutive e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, Feride Rushiti, theksoi rëndësinë e kësaj dite për shoqërinë kosovare dhe për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës.
Ajo tha se kjo ditë përfaqëson një moment të rëndësishëm të kujtesës kolektive në Kosovë dhe nderon zërin e të mbijetuarve që kanë folur publikisht, si dhe mijëra të tjerë që ende hezitojnë të tregojnë historitë e tyre për shkak të frikës nga stigma dhe paragjykimi.

