Ish-trajneri Fabio Kapelo ka folur për karrierën e tij të gjatë në futboll, duke ndarë kujtime dhe kritika për disa prej emrave më të njohur të lojës.
Ai tha se lojtari më i mirë me të cilin ka punuar ka qenë Rivera, ndërsa vlerësoi Johan Krojf si “lojtar të jashtëzakonshëm” dhe “trajner shumë të mirë”, por e përshkroi atë si “arrogant”.
Kapelo u ndal edhe te talentet italiane si Antonio Kasano dhe Mario Baloteli, duke thënë se të dy “shpërdoruan potencialin e madh që kishin”.
Duke folur për periudhën e tij te Real Madridi, ai kujtoi edhe Ronaldon Fenomenin, për të cilin u shpreh kritik për disiplinën dhe mënyrën e jetesës jashtë fushës.
Sipas Kapelos, braziliani nuk stërvitej siç duhej dhe kishte sjellje që ndikonte negativisht te grupi. Ai shtoi se, së bashku me drejtuesit e klubit, u mor vendimi për largimin e tij nga skuadra.
Kapelo tha gjithashtu se në atë kohë kishte diskutuar me drejtuesit e klubit për gjendjen e lojtarit, duke e cilësuar atë si një futbollist me talent të madh, por me probleme disiplinore.
Në fund, ai u ndal edhe te periudhat e ndryshme të karrierës së tij, duke veçuar Madridin si një nga qytetet me të cilat ka lidhje të veçantë profesionale dhe personale.
