Një incident i rëndë me përmbajtje fyese është raportuar në Maqedoninë e Veriut gjatë një ndeshjeje të kampionatit vendor, ku FK Vardar mposhti FK Tikveshin me rezultatin 7-0.
Sipas raportimeve, një pjesë e tifozëve të grupit ultras të Vardarit, “Komiti”, kanë intonuar kore të rënda antishqiptare, duke përdorur thirrje fyese dhe gjuhë urrejtjeje ndaj shqiptarëve.
Pamjet e publikuara në rrjetet sociale kanë dokumentuar momentet e këtyre thirrjeve, megjithatë videot janë fshirë pas një kohe të shkurtër.
Ngjarja rikthen në vëmendje një fenomen të përsëritur në stadiumet e vendit, ku edhe më parë janë raportuar kore të ngjashme me përmbajtje etnike dhe diskriminuese.
Incidenti vjen në një periudhë të ndjeshme në Maqedoninë e Veriut, ku janë regjistruar edhe tensione shoqërore dhe politike, përfshirë protesta të studentëve shqiptarë për çështje që lidhen me përdorimin e gjuhës shqipe në arsim.
Autoritetet kanë bërë të ditur se kanë nisur procedurë për veprën penale “dhunë dhe sjellje e pahijshme në ndeshje sportive”. Sipas ligjit, për individët parashikohen gjoba nga 600 deri në 1000 euro, ndërsa për klubin sportiv gjobat mund të arrijnë deri në 5000 euro, nëse konstatohet mungesë masash parandaluese.
Pritet që organet kompetente të analizojnë materialet dhe raportet zyrtare për të përcaktuar përgjegjësitë dhe masat që do të merren në vijim.
