Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka komentuar zërat për një bashkëpunim politik mes Lumir Abdixhikut dhe Vjosa Osmanit për zgjedhjet e ardhshme, duke theksuar se vendimet për postet drejtuese nuk merren nga marrëveshjet politike, por nga qytetarët.
Gjatë një aktiviteti në rrugën Kijevë–Malishevë, Kurti deklaroi se çdo subjekt politik ka të drejtë të ketë ambicie dhe vizion, por shtoi se “nuk duhen ngatërruar dëshirat me faktet”.
Ai rikujtoi rezultatin e zgjedhjeve të fundit, duke theksuar se Lëvizja Vetëvendosje ka marrë mbi 51 për qind të votave dhe 57 deputetë në Kuvend, ndërsa partitë opozitare së bashku kanë më pak mandate.
Kurti foli edhe për shtyrjen e vendimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, duke deklaruar se Kosova ka nevojë për drejtësi normale dhe jo për gjykata speciale, ndërsa përsëriti bindjen e tij për pafajësinë e ish-drejtuesve të UÇK-së.

