Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas dështimit të Kuvendit për të zgjedhur presidentin e ri, duke theksuar se vendi po shkon drejt zgjedhjeve të reja.
Sipas tij, përgjegjësia për këtë situatë bie mbi pushtetin, konkretisht mbi kryeministrin Albin Kurti, i cili, sipas Abdixhikut, ka kërkuar nënshtrim nga opozita në vend të bashkëpunimit institucional.
Ai u shpreh se shumica parlamentare nuk e trajtoi procesin si një detyrim kushtetues për arritjen e konsensusit, por si një përpjekje për të imponuar vullnetin e saj politik.
Abdixhiku shtoi se qytetarët do të kenë fjalën e fundit në zgjedhjet e ardhshme, duke vendosur për drejtimin e vendit dhe për mënyrën se si duhet të funksionojnë institucionet demokratike në Kosovë.
