Media belge EU Alive i ka kushtuar një artikull reagimit të këngëtares shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, lidhur me protestat që po zhvillohen në Shqipëri.
Gjatë podcastit Service95, në një bisedë me filozofen Lea Ypi, artistja u shpreh e shqetësuar për ndryshimet që, sipas saj, po bëhen në zonat e mbrojtura pa një proces të plotë konsultimi publik. Komentet e saj lidhen me debatin për projektin turistik të lidhur me investitorin amerikan Jared Kushner.
Sipas EU Alive, reagimi i Dua Lipës i ka dhënë çështjes një jehonë më të gjerë ndërkombëtare. Media thekson se, kur një artiste me ndikim global dhe me lidhje të forta me Shqipërinë flet për zhvillimet në vend, mesazhi i saj arrin përtej kufijve dhe tërheq vëmendjen e opinionit publik ndërkombëtar.
Artikulli nënvizon se Dua Lipa nuk ka bërë thirrje politike dhe as nuk ka kërkuar dorëheqjen e qeverisë, por ka shprehur shqetësimin e saj për mbrojtjen e mjedisit, transparencën dhe rëndësinë e konsultimit me qytetarët për projekte me ndikim publik.
