Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, ka reaguar pas ngjarjes tragjike në Maliq, ku gjatë një operacioni policor u vra efektivi Enea Mekolli dhe u plagos rëndë kolegu i tij, Edison Adri.
Lamallari e cilësoi ngjarjen si një “akt kriminal të rëndë”, duke theksuar se nuk bëhet fjalë vetëm për një sulm ndaj punonjësve të policisë, por edhe ndaj rendit, ligjit dhe sigurisë së qytetarëve.
“Autori do të përballet me të gjithë forcën e ligjit dhe nuk do të ketë asnjë mundësi t’i shpëtojë drejtësisë”, deklaroi ai.
Ministri shprehu ngushëllimet e tij të thella për familjen Mekolli, duke theksuar se sakrifica e Enea Mekollit do të kujtohet me respekt dhe mirënjohje. Ndërkohë, efektivit të plagosur, Edison Adri, i uroi shërim të shpejtë dhe rikthim sa më parë pranë familjes së tij.
“Sakrifica e Enea Mekollit nuk na ndal, por na forcon në betejën kundër krimit. Nderimi më i madh për të është të vijojmë detyrën me të njëjtin guxim, përkushtim dhe integritet që ai tregoi deri në fund”, përfundoi Lamallari.
