Ish-kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, ka reaguar ndaj protestave të fundit përmes një shkrimi të gjatë politik, ku përdori referenca nga veprat e Shekspirit për të komentuar situatën në vend.
Spiropali kritikoi ashpër kundërshtarët e qeverisë, duke deklaruar se “Makbethat vrasës dhe Hamletët dyshues kanë dalë sheshit”, ndërsa i akuzoi për përhapje konspiracionesh dhe interpretimesh të pabazuara rreth zhvillimeve politike.
Në reagimin e saj, ajo bëri thirrje për një “marrëveshje të re për Shqipërinë”, duke theksuar nevojën për institucione më të forta, më shumë llogaridhënie, forcimin e demokracisë, luftën kundër korrupsionit dhe një sistem ku pushteti të kontrollohet nga mekanizma të pavarur. Sipas Spiropalit, sfida e Shqipërisë sot nuk është ndërtimi i shtetit, por garantimi që asnjë pushtet të mos jetë mbi institucionet dhe ligjin.
