Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë po vijon procesin e numërimit të votave nga zgjedhjet e 7 qershorit, ndërsa rezultatet paraprake kanë nxjerrë në pah renditjen e kandidatëve më të votuar deri në këtë fazë.
Sipas të dhënave të publikuara deri tani, Albulena Haxhiu dhe Donika Gërvalla-Schwarz kanë marrë më shumë vota se presidentja Vjosa Osmani, duke u renditur përpara saj në listën e kandidatëve më të mbështetur nga qytetarët.
Renditjen vazhdon ta kryesojë Albin Kurti me 202,448 vota, i ndjekur nga Glauk Konjufca me 159,156 vota dhe Bedri Hamza me 100,885 vota. Albulena Haxhiu renditet e katërta me 92,727 vota, ndërsa Donika Gërvalla e gjashta me 75,476 vota. Vjosa Osmani aktualisht mban vendin e shtatë me 67,208 vota.
Në mesin e dhjetë kandidatëve më të votuar deri tani janë gjithashtu Hekuran Murati, Përparim Gruda, Xhelal Sveçla dhe Lumir Abdixhiku.
Megjithatë, panorama përfundimtare mbetet ende e hapur, pasi nuk ka nisur ende numërimi i votave të diasporës, të cilat pritet të kenë ndikim të rëndësishëm në renditjen finale të kandidatëve. KQZ-ja pritet të publikojë rezultate të reja ndërsa procesi i numërimit vazhdon në të gjithë vendin.
