Drejtuesit e kompanive kryesore të rrjeteve sociale – Meta, TikTok dhe Roblox – kanë mohuar se platformat e tyre krijojnë varësi te fëmijët dhe të rinjtë, gjatë një seance dëgjimore në Parlamentin e Mbretërisë së Bashkuar, në Londër.

Përfaqësuesit e kompanive u morën në pyetje nga një komitet dypartiak për arsimin mbi ndikimin e kohës para ekranit dhe përdorimin e rrjeteve sociale nga të miturit. Ata këmbëngulën se platformat nuk janë të dizajnuara për të krijuar varësi dhe se nuk ka prova që ato janë “në thelb varësie”.

Ndërkohë, Snapchat anuloi pjesëmarrjen në momentet e fundit, duke shkaktuar reagim të ashpër nga kryetarja e komitetit, Ellen Hayes, e cila paralajmëroi masa detyruese nëse kompania nuk paraqitet në seancat e ardhshme.

Debati vjen në një kohë kur qeveria britanike po shqyrton mundësinë për të vendosur kufizime për përdoruesit nën 16 vjeç, duke ndjekur shembullin e Australisë. Megjithatë, përfaqësuesja e Metës në Mbretërinë e Bashkuar, Rebecca Stimson, argumentoi se një ndalim i tillë do të ishte i vështirë për t’u zbatuar dhe jo plotësisht efektiv.

Seanca zhvillohet gjithashtu në sfondin e një vendimi gjyqësor në Los Angeles, ku Meta dhe YouTube u shpallën përgjegjëse për dizajnimin e produkteve që mund të krijojnë varësi. Të dyja kompanitë kanë bërë të ditur se do ta apelojnë vendimin.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *