Nga Arbër Zaimi

Në samitin e NATO-s ftuesi e mikpritësi Erdogan i Turqisë u dhuroi udhëheqësve pjesëmarrës revolverë të dekoruar me inicialet e tyre, si dhe nga një pako fishekë.

Kuptimi i parë i kësaj dhurate është ky: Meqë NATO është aleancë ushtarake e meqë koha siç duket po e lyp armatimin e secilit aleat për të mbrojtur veten e mandej shokun, ja ku është Turqia e cila prodhon armatim dhe municion.

Kuptimi i dytë: Revolet e fishekët nuk janë më për biznes, por për dhuratë. Ato e të ngjashmet e tyre dita ditës po i afrohen shndërrimit në antikuar, me vlerë ndoshta muzeale a koleksionuese. Ose, mund të mbahen në brez për mbrojtje personale (prandaj dhe të personalizuara me iniciale), por pa ndonjë rol në mbrojtjen kolektive të popujve e shteteve. Turqia jep kështu një mesazh të tërthortë për vlerësimin e teknologjive e industrive të reja ushtarake, që tashmë përcaktojnë luftërat, nga ajo e Azerbajxhanit dhe Armenisë, te ajo e Rusisë dhe Ukrainës, e deri te kjo shumëpalëshja në Lindje të Mesme. Ndryshe nga revolet e shndërruara në suvenirë, këto teknologji e industri të reja, si çdo gjë me vlerë aktuale, nuk dhurohen por duhen financuar e ndërtuar.

Kuptimi i tretë që rrodhi edhe nga reagimi i disa liderëve, me ç’duket dhurata mund të jetë menduar edhe si test: A mund ta marrësh me vete në vendin ku drejton? A e lejojnë kuadri ligjor e institucional i vendeve tuaja një lidership që mund të ndërveprojë shpejt e lirisht me aleatët në kushte të ringjalljes së një gare armatimi e cila në rastin më të mirë i përngjan Luftës së Ftohtë? Përgjigjet ndaj këtyre pyetjeve mund të hapin diskutime të rëndësishme për raportin mes demokracisë dhe sigurisë, apo mes komunitetit dhe imunitetit, debate që u hapën edhe gjatë pandemisë kur u pa se shpejtësia e veprimeve ndonjëherë qe e justifikuar pavarësisht kuadrit ligjor e institucional që mbetej i parespektuar. Por, a hap kjo mundësi për abuzim, spekulim e autokraci? Qartazi.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *